Për të parën herë nën qeverisjen e Joe Biden, Shtetet e Bashkuara aprovuan shitjen e qindra raketave ajër-ajër, me vlerë prej 650 milionë dollarësh Arabisë Saudite.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit sqaroi se marrëveshja do të “rimbushë inventarin ekzistues të këtij vendi”.
Pakti lejon blerjen e 280 raketave AIM-12OC ajër-ajër dhe pajisjeve të ngjashme. Arabia Saudite është aleate e vjetër dhe e besueshme e SHBA-së, ndërsa konkurron me Iranin për ndikim në Lindjen e Mesme.
Lidhjet e Riadit me Uashingtonin kanë mbetur të forta gjatë administratës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Por Biden ka qenë më i distancuar se paraardhësi i tij, dhe shkak për këtë janë bërë shqetësimet mbi shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut.
Presidenti amerikan e ka ngritur në disa raste zërin kundër ofensivës së drejtuar nga Arabia Saudite në Jemen, që shënjestron rebelët Huthi, të lidhur me Iranin.
Më shumë se 130 mijë vetë kanë humbur jetën deri më tani nga ky konflikt, i cili ka shkaktuar nga ana tjetër dhe njërën prej krizave më të rënda humanitare në botë.
Por Huthit i kanë përshkallëzuar sulmet e tyre ndaj qyteteve saudite, duke përdorur edhe raketa e dronë. Dhe këtu, raketat AIM-120C, të lëshuara nga avionët sauditë, konsiderohet si rol i rëndësishëm në ndërprerjen e sulmeve të vazhdueshme, që kanë vënë në rrezik veç të tjerash edhe forcat amerikane.
Top Channel