Këmbanat e alarmit po bien në Berlin për situatën e krijuar në Bosnje-Hercegovinë, pohuan qarqe qeveritare për DW qw theksuan se po përpiqen me Kuintin të gjejnë një zgjidhje për të penguar përhapjen e konfliktit në rajon.
“Qeveria Federale ndan shqetësimin e madh të Përfaqësuesit të Lartë Schmidt për situatën e brendshme politike në Bosnjë-Hercegovinë dhe sidomos për një sërë deklaratash të presidentit serb, Milorad Dodik.
“Thirrjet për shkëputje dhe për hapa për dobësimin e shtetit në tërësi janë të papërgjegjshme dhe krejtësisht të papranueshme”, thuhet ndër të tjera në një prononcim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë.
Ministria e Jashtme gjermane gjykon më tej se Bosnja-Hercegovina po bwn hapa prapa dhe se ekziston rreziku i një krize të përhershme me pasoja negative për qytetarët e të gjithë vendit. “E gjithë kjo rrezikon stabilitetin jo vetëm të Bosnjë-Hercegovinës, por të të gjithë rajonit.
Ne jemi duke u konsultuar intensivisht me partnerët tanë, veçanërisht në BE, në Kuint dhe në Ballkanin Perëndimor dhe në kuadër të Këshillit për Zbatimin e Paqes, për hapat që mund të ndërmarrim për të shmangur një zhvillimi të tillë”, përfundon deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme gjermane.
Kuinti përbëhet nga përfaqësues të pesë shteteve perëndimore: Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përfaqësuesi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Sarajevë, Christian Schmidt, paralajmwroi mw herwt në një raport për Këshillin e Sigurimit të OKB-së për një përshkallëzim të rrezikshëm të situatës në Bosnjë-Hercegovinë.
Top Channel