Një ditë më vonë, më 25 janar, Tritan Shehu, kryetar i PD, do të shkonte në Lushnjë për të zgjidhur situatën. Pas mbërritjes atje, ai kapet peng dhe mbahet për disa orë në stadiumin e qytetit. Kurse gjatë paradites në qytet, u plaçkitën, shkatërruan dhe dogjën institucionet.
Më 26 janar, do të digjej bashkia e Vlorës, kurse më 27 janar bashkia e Peshkopisë. Protestat si fillim do të nisnin nga premisa ekonomike, por më pas ato u drejtuan kundër qeverisë dhe kundër presidentit Sali Berisha, veçanrëisht në qytetin e Vlorës dhe u kthyen tërësisht politike me qëllim rrëzimin e pushtetit.
Më 4 shkurt do të fillonte shpërndarja e një pjese të parave të humbura. Shpërndarja e tyre në sportelet e Bankës Kombëtare Tregtare e zotëruar nga shteti, krijoi efektin e rënies së firmave të tjera, pasi njerëzit filluan të besonin se paratë i kishte vjedhur qeveria. Në 5 shkurt 1997, do të falimentonte firma “Gjallica”, ndërsa në 6 shkurt 1997 do të rifillonin protestat e dhunshme në Vlorë. Në 9 shkurt 1997 në Vlorë, do të sulmohej Komisariati i Policisë, ndërsa një ditë më vonë po në Vlorë, 50 efektivë të forcave speciale do të sulmoheshin dhe shpartalloheshin barbarisht.
Më 20 shkurt në ambientet e Universitetit të Vlorës nis greva e urisë së studentëve. Rreth 50 studentë hyjnë në grevë urie. Kërkesat e tyre ishin dorëheqja e qeverisë dhe kthimi i plotë i parave. Kjo grevë do të cilësohej si nxitësi kryesor i degjenerimit të situatës deri në konfliktin e armatosur.
Mandej në mbrëmjen e 28 shkurtit, sulmohet godina e SHIK-ut ku mbesin të vrarë 9 persona, 6 oficerë dhe 3 civilë. Masakra e 28 shkurtit shënon fillimin e Luftës Civile 10-ditore, dhe fundin e paqes në Vlorë për gati një vit.
Me hapjen e depove të armëve në vend do të vinin ditët më të zeza për vendin dhe njerëzit e tij.
Më datë 2 mars qeveria e Aleksandër Meksit jep dorëhqjen, pas dështimit për të zgjidhur krizën. Ngjarja festohet në Vlorë me kallashnikovë. Parlamenti miraton shef të operacionit për rivendosjen e rendit, shefin e SHIK, Bashkim Gazideden. Menjëherë Gazidede urdhëron mbylljen e shkollave në mbarë vendin në një afat të pacaktuar. Vendosen gjithashtu kufizime ndaj shtypit dhe ndaj furnizimit me mallra konsumi të popullatës.
Më 3 mars Sali Berisha rizgjidhet President i Republikës me votat e deputetëve të PD-së. Mandej zemërim i papërmbajtur shpërthen në Vlorë dhe Tepelenë, qendrat kryesore të rebelimit. Saranda gjithashtu bie në duart e rebelëve, ku njerëz të armatosur të ardhur nga Vlora me anije, djegin çdo institucion duke përfshirë edhe librarinë e qytetit. Gjithashtu shpërthejnë godinën e paraburgimit dhe marrin mbi 400 armë.
Më 4 mars formohet në Vlorë Komiteti i Shpëtimit Publik të Vlorës i njohur thjesht si Komiteti i Shpëtimit. Ky komitet fillon të veprojë si strukturë paralele, duke kryer de fakto një grusht shteti. Në të njëjtën ditë në Vlorë vendosen snajpera në çdo pallat dhe në çdo rrugë ngrihen barrikada, për të penguar hyrjen e SHIK-ut, armiku i vetëm i rebelëve.
“Efeketet dhe pasojat e firmave piramidale për qytetarët ishin të jashtëzakonshme. Viti 1997 ishte vit i gjunjëzimit të Shqipërisë, jo vetëm në kontekstin e humbjes së jetës së njerëzve, por edhe dëmit që iu shkaktua kontekstit të integrimit, dhe në procesin e rrënimit ekonomik. Sepse shqiptarët demonstruan edhe një herë se kur bëhet fjalë për paratë dhe mjetet financiare, janë në gjendje të sakrifikojnë çdo gjë, e cila shumë kombe e kanë që për kombin e tyre sakrifikojnë çdo gjë, për moralin e tyre sakrifikojnë çdo gjë, ndërkohë që 1997 për shqipatrët demonstroi tjetër gjë. Unë jam i bindur që 1997 është një njollë e errët për historinë e Shqipërisë, pas 1990 dhe uroj të jetë një e shkuar e harruar dhe të mos përsëritet më”u shpreh Nikolin Jaka, Dhoma e Tregëtisë dhe Industrisë Tiranë.
Nga një situatë surrealiste, komike ku njerëzit ëndërronin të pasuroheshin brenda natës sikur paratë mbinin në pemë, muaji mars 1997 do të shenjonte tragjedinë më të madhe të shqiptarëve; gati 3 mijë veta të vdekur, institucione të djegura e shkatërruara, një luftë civile që traumatizoi një popull të tërë duke mos arritur edhe sot ta shlyejë dot atë traumë të mbetur që prej 25 vitesh.