Këshilli i Ministrave, si çdo javë, edhe këtë të mërkurë ka publikuar vendimet e miratuara.
Kryefjala e mbledhjes ka qenë vettingu noterial, Agjenda Ndërkombëtare për vitin 2021-2026 për fëmijët, një akt normativ për Spitalin Memorial të Fierit dhe përcaktimi i kritereve të ekosistemeve të faunës së egër.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se vendimet e Këshillit të Ministrave, përfshijnë edhe projektligjin për noterinë.
Ai tha se të gjithë kandidatët për noterë do të kalojnë përmes kritereve të reja të pranimit të profesionit të noterit, të ngjashme me ato të shkollës së Magjistraturës, por që synojnë të mbajnë larg këtë profesion nga krimi i organizuar, apo skemat e pastrimit të parasë dhe financimit të terrorizmit.
“Nëpërmjet këtyre ndryshimeve përcaktojmë kritere të reja për futjen në profesionin e noterit dhe që kanë të bëjnë me mospërfshirjen në këtë sistem të personave që kanë lidhje apo kontakte të papërshtatshme me krimin e organizuar ose persona të dënuar për kryerjen e veprave penale të rënda. Këtyre kritereve të reja do t’i nënshtrohen edhe noterët që tashmë janë pjesë e shërbimit noterial, nëpërmjet inspektimeve proaktive që do të ushtrojë Ministria e Drejtësisë”, tha ai.
I pyetur nga gazetarët, në lidhje me vetting-un e figurës së noterit, ministri tha se ky ligj do të funksionojë si filtër kundrejt përfshirjes së këtyre personave në qarqe kriminale.
“Ndryshimet që përcaktohen sot jo vetëm përcaktojnë kriteret e reja për pranimin në profesionin e noterit, por as më shumë dhe as më pak, është një proces vettingu për noterët e sistemit që sot janë në këtë shërbim dhe që kanë të bëjnë me verifikimin e kontakteve të papërshtatshme apo me lidhje me krimin e organizuar apo me personat e dënuar për kryerjen e veprave të rënda penale. Apo që janë pjesë e listës së shpallur sipas legjislacionit në fuqi në kuadër të masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Është vetting për sistemin noterial në Shqipëri”, tha ai.
2- Zgjatje e bashkëpunimit me Turqinë për Spitalin e Fierit. Agjenda 2021-2026, për mbrojtjen e fëmijëve
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës së saj bëri me dije se është marrë vendimi për një Akt Normativ mes Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Turqisë për Spitalin Memorial të Fierit.
“Ky akt, i cili ne kemi miratuar sot i hap rrugën një bashkëveprimi 3-vjeçar me stafet e përbashkëta, të cilat tashmë kanë filluar të funksionojnë në këtë model të ri të menaxhimit të Spitalit Memorial në Fier. Është një spital, i cili, ashtu sikurse dhe parashikohet në një periudhë 3-vjeçare, do të administrohet nga ta dy palët dhe sigurisht do të përfitojnë direkt qytetarët shqiptarë nëpërmjet shërbimeve shumë cilësore por do të përfitojë dhe sistemi shëdetësor; pasi do të krijohet dhe po krijohet një model i autonomisë spitalore, i cili do të replikohet edhe në spitale të tjera”, tha Manastirliu.
Vendimi tjetër, që ka ndërmarrë qeveria sa i përket Shëndetësisë, është miratimi i një dokumenti që ka të bëjë me Agjendën Ndërkombëtare për vitin 2021-2026 për fëmijët.
“Miratimi i një dokumenti shumë të rëndësishëm politik, një dokument i cili ka të bëjë me Agjendën Kombëtarë për të Drejtat e Fëmijëve për vitet 2021-2026, që synon të harmonizojë dhe koordinojë të gjitha politikat për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në të gjithë sektorët dhe gjtihashtu synon që të koordinojë veprime të përbashkëta me të gjithë strukturat shtetësore, por edhe ato të organizatave të shoqërisë civile që synojnë mbrojtjen e interesave më të larta të fëmijëve tanë”, tha ministrja, duke shtuar se do të ndërtohen plane të përbashkëta për ofertën e re për fëmijët, me synimin që kjo agjendë të jetë sa më e prekshme dhe sa më efektive në raport me mirëqenien e fëmijëve.
3- Fokusi te fauna e egër, përcaktohen kriteret e ekosistemeve
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka bërë me dije Vendimin e Këshillit të Ministrave për përcaktimin e kritereve të ekosistemeve të faunës së egër. Të cilësuar si kritere “të qarta”, për mënyrën se si mund të përkufizohen ekosistemet, brenda të cilave lëvizin llojet dhe speciet e faunës së egër, Kumbaro tha se në këtë vendim janë të përfshirë dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.
“Me këtë VKM që përcaktojmë sot për kriteret e ekosistemeve të faunës së egër, janë bashkitë që kanë detyrën parësore të identifikimit të ekosistemeve, hartimit të planeve që miratohen më tej nga ministri i Mjedisit”.
4-Ratifikohet Memorandumi Mirëkuptimi për disa kufizime në importin e disa kategorive të objekteve apo materialeve kulturore dhe arkeologjike
Në përmbyllje të shpalljes së vendimeve të Këshillit të Ministrave, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, tha se gjatë mbledhjes u arrit ratifikimi i Memorandumit të Mirëkuptimit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendosjen e importit për kategoritë e objekteve apo materialeve kulturore dhe arkeologjike shqiptare.
“Sot vendosem një memorandum mirëkuptimi, do vendoset kufizimi i importit të materialeve etnologjike shqiptare. Ministria e Kulturës ka bashkëpunuar me Departamentin e Shtetit. Gjithashtu ne i kemi bashkëlidhur edhe akte të tjera ligjore që lidhen me krijimin e një databaze të pasurive të vjedhura. Në kuadrin ligjor në regjistrat e gjendjes civile. Shqipëria pozicionohet jo më në listat e zeza të trafikimit. Ky memorandum mirëkuptimi do ketë edhe ngritjen e një grupi ekspertësh, policia, INTERPOL”, tha ajo.
Më herët Ambasada Amerikane në Shqipëri, nëpërmjet një komunikate zyrtare ka zbuluar firmosjen e një Memorandumi Mirëkuptimi (MoU) mes Ministrisë së Kulturës dhe Shteteve të Bashkuara, për disa kufizime në importin e disa kategorive të objekteve apo materialeve kulturore dhe arkeologjike.
Top Channel