Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka reaguar mbi pretendimet e ngritura se aplikantët janë skualifikuar padrejtësisht duke mos iu dhënë mundësia për të vijuar në fazat e konkurrimit në Kolegjin Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë për Patrullë të Përgjithshme.
“Aplikantët, në bazë të ligjit nr.108/2014 “Për Policinë e Shtetit” dhe urdhrit nr. 846, datë 15.09.2021, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, duhet të plotësojnë kriteret e nenit 38 të Ligjit për Policinë e Shtetit dhe të nenit 44 të VKM nr.1143, datë 09.12.2020, e ndryshuar.
Gjatë fazës së verifikimit të dokumentacionit, nëse aplikantët nuk plotësojnë qoftë edhe 1 kriter të vetëm, ata skualifikohen”, thuhet në njoftimin e DVP Fier.
Sektori i Burimeve Njerëzore në DVP Fier i ka njoftuar me shkresë zyrtare aplikantët që nuk kanë plotësuar kriteret në lidhje me vendimin e skualifikimit, në total 21 persona, nga të cilët 5 për shkak të moshës dhe 16 për mosplotësim të pikës gjashtë germa f (të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtje penale me dashje) dhe pikës nëntë (kriteri i besueshmërisë).
Aplikantët, pasi janë njohur me vendimin e skualifikimit, kanë patur të drejtën e ankimimit të vendimit në Komisionin e Posaçëm të Ankesave të ngritur pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, i cili i shqyrton ankesat e tyre brenda tre ditëve. Aktualisht pranë burimeve njerëzore në DVP Fier, nga 21 aplikantë të skualifikuar, 9 prej tyre kanë depozituar ankimimin e vendimit.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier siguron aplikantët dhe të gjithë qytetarët se ka zbatuar me rigorozitet të gjitha procedurat ligjore gjatë fazës verifikuese të dokumentacionit të aplikantëve.
Top Channel