Të pastrehë para dimrit/ Banorët e pallateve të dëmtuara në Durrës protestojnë para bashkisë

01/11/2021 15:28

Ndërsa dimri po afrohet, shumë familje në Durrës nuk janë kthyer ende në banesat e tyre të dëmtuara nga tërmeti.

Në mungesë të informacionit nga organet e qeverisjes vendore, e vetmja rrugë për të shprehur shqetësimin e tyre është protesta para bashkisë së Durrësit me shpresën e reagimit nga autoritetet. Edhe kjo përfaqësi e banorëve të një pallati të shembur në zonën e Çezmës së Ferrës në qytetin bregdetar protestoi ndaj situatës së pashpresë në të cilën ndodhen.

Pallati është prish nga bashkia se e dërrmoi tërmeti dhe asnjë lloj sihariqi a do bëhet a s’do bëhet”, thotë një banor.

Kemi ngel pothuajse rrugëve dhe asnjë përgjigje s’kemi marrë dhe pse pallati ynë është shemb para të tjerëve. Na ka shkuar thika në kockë”, tregon një tjetër.

Marr 100 mijë lekë të vjetra pension. Verifikojeni! A të marr ilaçet a të ha e të pi? Du me vdek në shtëpinë time, mos të dalë xhenazja nga shtëpia e tjetrit. Kemi tre muaj që nuk e kemi marrë bonusin, paratë e qirasë. Më thonë pse ke ardhë e prit. Deri kur duhet të presë nëna?

Banorët e pallatit nr.837 mbeten në pritje të informacionit për ndërtimin e pallatit të ri, ndërsa nuk po marrin as bonusin e qerasë prej 3 muajsh. Ndërkohë sheshi ku dikur ngrihej pallati i tyre është kthyer në vend për hedhjen e mbeturinave.

Pallati ynë është shembur e është bërë për gjynah. Kënd për plehrat. Do Zoti na jep ndonjë premtim se ngelëm jashtë e nuk ka kush na ndihmon…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA