Samiti i klimës në Glasgow të Skocisë u përshkrua si shpresa e fundit për të luftuar ndryshimet klimatike. Kryeministri britanik Boris Johnson e bëri të qartë se liderët duhet të kalojnë tashmë nga aspiratat në veprim me qëllimin të frenohet ngrohja globale. “Ora është një 1 minutë para mesnate dhe ne duhet të veprojmë tani”, u shpreh Jonson.
Njerëzimi për kryeministrin e vendit mikpritës të samitit të rëndësishëm, ka luajtur për një kohë të gjatë me klimën. Tani është momenti të veprojë.
Në listën e atyre që do të marrin fjalën në Glasgou krahas kryeministrit britanik, është edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, presidenti amerikan, Joe Biden, ai francez, Emmanuel Macron dhe krerë të BE. Për Gjermaninë kancelarja Merkel e jep deklaratën e saj përmes një lidhje video.
Në konferencë mungojnë sakaq presidentët e dy vendeve që janë emetues të mëdhenj të gazit karbonik: presidenti kinez, Xi Jinping dhe ai rus, Vladimir Putin. I pranishëm në takim dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili pati dhe një takim me Boris Johnson. Përballja ishte mjaft e përzemërt, por për shkak të pandemisë, liderët u detyruan të zbatojnë protokollin e të takohen me bërryla.
Sipas ekspertëve, objektivi i kufizimit të ngrohjes globale në 1,5 gradë mund të arrihet vetëm nëse përgjysmohen emetimet botërore të gazit karbonik CO2 në fund të këtij dhjetëvjeçari. Te dhënat e fundit të Kombeve të Bashkuara, tregojnë se Toka po shkon drejt një ngrohjeje globale në 2,7 gradë në këtë shekull.
Top Channel