Anëtari i lëvizjes ‘Grupimi për PD-në’ dhe kandidati për kryetar të PD-së përballë Sali Berishës, Edvin Kulluri i ftuar sot në emisionin ‘Top Talk’ në Top Channel ka shpjeguar pse sfidon ish-kryeministrin në këtë garë.
Kulluri u shpreh se PD duhet të ketë një kryetar jo të mbështetur nga Berisha apo kushdo tjetër që mund të ketë në një moment të caktuar një fuqi për të ndihmuar një kryetar.
Ai tregon se ka hyrë në këtë garë për të dhënë një model dhe se secili duhet të hyjë me tezat dhe qëndrimet e veta.
Mund të jeni juve pinjoll i Berishës?
Kulluri: Unë kam hyrë në garë dhe një nga arsyet është edhe kjo, që PD duhet të ketë një kryetar jo të katapultuar, jo të importuar, jo të mbështetur nga Berisha apo kushdo tjetër që mund të ketë në një moment të caktuar një konjukturë fuqie për të ndihmuar një kryetar. PD duhet të ketë një garë dhe një kryetar të vërtetë.
Ne jemi në krizë ekzistenciale të PD-së dhe unë në këtë garë nuk kam hyrë vetëm për këtë garë, por për të dhënë një model, për të thënë që në këtë parti gara duhet të jetë e qartë, e hapur dhe secili duhet të hyjë me atributet, kontributet, tezat e veta dhe qëndrimet e veta.
Top Channel