Të paktën nëntë persona u plagosën dhe një burrë vdiq në një festë të Halloween në Texarkana, Teksas, pasi një person i armatosur qëlloi me armë.
Sipas mediave të huaja, Departamenti i Policisë Texarkana, në një deklaratë në Facebook, tha, “Oficerët iu përgjigjën disa raportimeve për të shtëna në vendin e festës në bllokun 2300 të Texas në orën 11:56 të së shtunës mbrëma”.
“Kur arritën atje, ata hasën në një numër të madh njerëzish që vraponin nga ndërtesa dhe disa brenda të cilët ishin plagosur me armë zjarri”.
Një 20-vjeçar u deklarua i vdekur në një nga spitalet, ndërsa emri i tij ende nuk është bërë i ditur.
Policia ka thënë se nëntë personat e plagosur nuk janë në rrezik për jetën.
Sipas policisë, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes me një makinë të panjohur.
“Detektivët po hetojnë dhe intervistojnë viktimat dhe dëshmitarët. Vlerësohet se ka pasur të paktën nja dyqind persona në vend kur ndodhën të shtënat”, tha policia.
Motivi i të shtënave mbetet i panjohur, megjithatë, hetimet paraprake konkludojnë se të shtënat mund të kenë qenë rezultat i një lloj përplasjeje mes disa prej pjesëmarrësve në festë.
Top Channel