Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, takimin me ministrin e jashtëm kinez, Wang Yi

31/10/2021 14:54

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua të dielën me ministrin e jashtëm kinez Wang Yi, ndërsa të dy kryediplomatët gjenden në Romë për takimin e nivelit të lartë të G-20-ës.

Takimi kishte si synim që konkurrenca intensive midis dy ekonomive më të mëdha në botë të mos kalojë në konflikt të hapur.

Zyrtarët e lartë të Departamentit të Shtetit i përshkruan bisedat si të sinqerta, konstruktive dhe produktive, duke thënë se zoti Blinken ishte i qartë në lidhje me shqetësimet e SHBA-së gjatë takimit që zgjati afro një orë.

Një nga synimet e Uashingtonit është të mbajë një linjë të hapur komunikimi me Kinën dhe të planifikojë një takim virtual më vonë këtë vit midis Presidentit të Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe Presidentit kinez Xi Jinping.

Sekretari Blinken tha në takim se Kina ka rritur tensionet në lidhje me Tajvanin dhe se Amerika dëshiron të vazhdojë “politikën e saj të një Kine”, e cila njeh Pekinin, por lejon marrëdhëniet informale dhe lidhjet e mbrojtjes me Taipein.

Gjatë fundjavës së Ditës Kombëtare të Kinës në fillim të tetorit, Kina dërgoi 149 avionë ushtarakë në jugperëndim të Tajvanit në formacion luftarak, duke bërë që Tajvani të bëjë gati avionët dhe të aktivizojë sistemet e mbrojtjes ajrore me raketa. Presidenti Biden alarmoi Kinën menjëherë pas kësaj duke thënë se SHBA-të kanë një angazhim të vendosur për të ndihmuar Tajvanin që të mbrohet në rast të një sulmi kinez.

Zyrtarët amerikanë nxituan të sqarojnë se nuk kishte pasur asnjë ndryshim në qëndrimin e SHBA-së ndaj Tajvanit.

SHBA nuk e kundërshton hapur pretendimin e Kinës ndaj Tajvanit, por është e angazhuar me ligj të sigurojë që ishulli të mund të mbrohet dhe të trajtojë të gjitha kërcënimet ndaj tij si shumë shqetësuese.

Zoti Blinken vuri në dukje se samiti i G-20 po pasohet nga samiti i Kombeve të Bashkuara për klimën në Skoci, duke thënë se SHBA pret që Kina të frenojë çlirimet e gazit serrë si një fuqi globale përgjegjëse për të mirën e botës.

Çështjet tregtare nuk u ngritën me detaje, pasi biseda mbeti kryesisht në fushën politike. As testimi i fundit i Kinës për lëshimin e një rakete hipersonike me aftësi bërthamore nuk u diskutua nga të dy udhëheqësit./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA