Arabia Saudite i ka dhënë 48 orë afat ambasadorit të Libanit që të largohet nga vendi. Arsye për këtë masë është një koment “fyes” që një ministër i Libanit e ka bërë në drejtim të Arabisë Saudite. Ky vend ndaloi gjithashtu gjitha importet nga Libani.

Ministri i Informacionit i Libanit, George Kordahi, në një intervistë të transmetuar në fillim të kësaj jave, dukej se i quajti Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) agresorë në luftën në Jemen.

Për shkak të këtyre mosmarrëveshjeve edhe Bahreini dhe Kuvajti kanë urdhëruar dëbimin e ambasadorëve libanezë.

Kryeministri i Libanit, Najib Mikati, ka thënë se i vjen keq për vendimin e sauditëve dhe shpreson se ata do ta rishikojnë.

Qeveria libaneze tha se komentet e ministrit nuk pasqyronin qëndrimin e saj.

Liga Arabe tha të shtunën se ishte e shqetësuar për përkeqësimin e marrëdhënieve dhe u kërkoi vendeve të Gjirit “të reflektojnë mbi masat në mënyrë që të shmangen efektet negative në ekonominë buzë kolapsit në Liban”.

Qe shtatë vjet, një koalicion ushtarak i shteteve arabe kryesisht sunite, i udhëhequr nga Arabia Saudite, ka luftuar kundër lëvizjes rebele myslimane shiite Huthi në Jemen.

Si Arabia Saudite ashtu edhe rebelët janë përballur me kritika ndërkombëtare.

Grupi militant Hezbollah i mbështetur nga Irani, i cili gjithashtu mbështet rebelët Huthi në Jemen, ka rritur fuqinë në Liban.

Hezbollah është shpallur grup terrorist nga shumë vende në botë, përfshirë Kosovën. /REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA