Mungesa e shirave ka bërë që niveli i hidrocentraleve në vendin tonë në shkojë në minimum, duke mos prodhuar sasinë e duhur të energjisë elektrike.
Hidrocentrali i Banjës në Gramsh ka arritur në atë nivel, sa pjesa fundore e tij është tharë fare. Moti i thatë dhe pa reshje ka çarë tokën, siç duket në fotot e LSA-së.
Në këto kushte, vendi ynë është detyruar të blejë energji dhe në çmime rekord.
Në dy ankandet e fundit, OSHEE ka shpenzuar rreth 20 mln euro. Energjia e blerë do të përdoret për periudhën nga data 25 tetor deri në datën-31 tetor dhe pas kësaj date operatori pritet të dalë sërish për të blerë energji.
Së bashku me ankandin e datës 22 tetor kompania ka harxhuar rreth 127.2 mln euro për të siguruar energji gjatë këtij viti. Në këtë pikë ka tejkaluar vlerën totale të energjisë së blerë në 2020-ën me rreth 9 mln euro.
Vazhdimi i blerjes së energjisë me çmimet stratosferike mund të detyrojë OSHEE të përdorë garancinë sovrane prej 100 mln euro të vënë në dispozicion nga qeveria, ndërsa tanimë problem është edhe sigurimi i energjisë në treg pavarësisht çmimit të lartë.
Top Channel