Policia italiane u detyrua të përdorte pompat e ujit dhe gazin lotsjellës për të shpërndarë qindra demonstrues, mes të cilëve edhe aktivistë neofashistë, që dolën nëpër rrugë për të ngritur zërin kundër përpjekjeve të qeverisë për ta bërë të detyrueshëm për të gjithë punonjësit që të pajisen me një kartë jeshile të vaksinës.
Një grup tubuesish tentuan të thyenin kordonin policor e të mësynin zyrën e Kryeministrit Mario Draghi, ndërsa një grup tjetër u përpoq të hynte në selinë e sindikatës kryesore të Italisë (CGIL).
Protestat vijnë disa ditë përpara se Italia të bëhet vendi i parë në Europë që i detyron të gjithë punonjësit të pajisen me një kartë jeshile, në një përpjekje për të përshpejtuar vaksinimin dhe për të zhdukur infeksionet e koronavirusit.
Leja, një certifikatë dixhitale ose në letër që tregon se dikush ka marrë të paktën një dozë të vaksinës, ose ka rezultuar negativ për COVID-19 apo se është shëruar së fundmi nga virusi, fillimisht u konceptua për të lehtësuar udhëtimin mes shteteve të Bashkimit Europian, thotë VOA.
Draghi e denoncoi dhunën e së shtunës dhe tha se qeveria e tij e unitetit mbetet e përkushtuar për ta çuar deri në fund fushatën e vaksinimit.
Top Channel