Me anë të një ceremonie solemne vlerësimi, Presidenti i Republikës, Ilir Meta çmoi këngëtaren e shquar Eranda Libohova me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Kreu i Shtetit i akordoi artistes së mirënjohur shqiptare këtë vlerësim me motivacionin: “Për kontributin e saj të vyer 35-vjeçar në muzikën shqiptare, si dhe për talentin e rrallë dhe interpretimin e veçantë të thuajse të gjitha zhanreve dhe rrymave muzikore, veçanërisht të qindra këngëve popullore dhe tradicionale shqiptare nga veriu e deri në jug. Për kontributin e veçantë në përçimin e vlerave më të mira kombëtare, artistike e njerëzore, si një artiste me profil të konsoliduar dhe një nga zërat më të çmuar të muzikës sonë bashkëkohore.”
Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar familjarëve dhe artistëve të shumtë të pranishëm në ceremoninë e dekorimit, Presidenti i Republikës u shpreh: ”Mjeshtëria vokale, aftësia për t’iu përshtatur ngjyrave e karakteristikave specifike të rrymave muzikore, fuqia interpretuese, vokali i ngrohtë, janë vetëm disa nga tiparet e Erandës si artiste.
Plot 35 vjet karrierë e shkëlqyer muzikore, dëshmojnë për një artiste të formuar, ku spikat talenti i lindur dhe profesionistja e vërtetë, si një nga zërat më të çmuar të muzikës tonë.
Për të gjithë kontributin e saj në evidentimin e vlerave më të mira artistike kombëtare, kam privilegjin të vlerësoj, në praninë tuaj këngëtaren e shquar Eranda Libohova me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’”.
Top Channel