Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi këtë të shtunë deklaroi se marrëveshjet e fundit mes PD dhe PS po falimentojnë shtetin shqiptar.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kryemadhi tha se mjafton të shikohet se çfarë po ndodh sot në Kuvend, ku tango teatrale e të ashtuquajturës opozitë-mazhorancë nuk po sjell asgjë tjetër, veçse sa po rrit borxhin e jashtëm për Shqipërinë dhe po e kalon në shifra ekstreme drejt një falimentimi të shtetit.
“Për të vazhduar më tutje për marrëveshje që i mungojnë transparencës politike dhe parlamentare dhe kjo është diçka që s’ka të bëjë vetëm me deputetët e Kuvendit, por edhe me qytetarët shqiptarë”, tha ajo.
Daklaratën e kreut të PD-së në lidhje me Presidentin Meta, të cilin e konsideroi si pjesë e të keqes së tre dekadave të fundit, Kryemadhi u mjaftua me një përgjigje lakonike, duke theksuar vetëm “asgjë e re nga Fronti i Lindjes”.
“Nuk dua të komentoj asnjë gjë që ka të bëjë me punët e brendshme të Partisë Demokratike. Lëvizja Socialiste për Integrim është një parti e qendrës së majtë, e cila ka identitetin e saj dhe sigurisht që me PD-në na ka lidhur bashkimi me kauzat që kanë të bëjnë për të mirën e qytetarëve, ku do veçoja atë për Teatrin apo taksën e rrugës së Kukësit dhe pavarësisht se sa të suksesshme ishin ato iniciativa opozitare. Angazhimi i LSI ka qenë luajal dhe i qëndrueshëm deri në fund, duke pasur parasysh që ishte e vetmja partnere që i qëndroi deri në fund frontit opozitar, pra deri me 25 prill”, tha Kryemadhi.
Kreu i LSI, theksoi se forca politike që përfaqëson nuk ka pësuar rrudhje në rezultat, por mos respektimi i marrëveshjes së 5 qershorit për procesin zgjedhor nga mazhoranca socialiste, solli edhe tjetërsimin e rezultatit zgjedhor.
“Nuk ka rrudhje të rezultatit, sepse janë 110 mijë vota, por ka një tjetërsim të sistemit komplet zgjedhor dhe dua të them se ka një fyerje nga PS, në radhë të parë me SHBA-në dhe BE-në, sepse këshilli politik në bashkëpunim me abasadën amerikane në Tiranë, delegacionin e BE-së dhe Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar u nënshkrua një marrëveshje për të shkuar drejt një procesi të lirë zgjedhor, të drejtë dhe të ndershëm me 5 qershor”, tha Kryemadhi.
Në lidhje me rikthimin e Ilir Metës në krye të LSI-së, Kryemadhi tha se një gjë të tillë ende nuk e ka diskutuar, por forca politike që ajo drejton mirëpret çdo njeri që do të kthehet dhe të kontribuojë në forcimin e demokracisë në vend.
Top Channel