Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku këtë të shtunë ka reaguar në lidhje me vendimin e Këshillit të Ministrave për krijimin e Agjencisë për Menaxhimin e Fondeve të Donatoreve, duke theksuar se Rama po krijon agjenci të reja për interesa klienteliste dhe korruptive.
Tabaku tha se sajesat e tij që mbajnë emrin e Agjencive dhe Ministrive pa portofol, janë një goditje ndaj demokracisë dhe decentralizimit.
“Ka vite që në Ministrinë e Financave nën modelet më të mira është ngritur një drejtori specifike për manxhimin e fondeve që vijnë nga BE. Ky model specifik dhe i mirë trajnuar po shkatërrohet nga njeriu i vetëm që zhduku kufijtë ndarës së partisë me shtetin”, shkruan ajo.
Nënkryetarja demokrate tha se dje është publikuar një VKM e qeverisë për një agjensi të re për Manaxhimin e Fondeve të Donatorëve, mbas asaj të Medias dhe Platformës digjitale.
Sipas saj, agjencia në fjalë njësoj si 2 agjencitë e tjera është thjesht një kod për të fshehur punën reale që ato do bëjnë, duke shtuar më tej se agjencia do të ndërtojë politika, do manaxhoje fonde, do të jetë një Ministri e re e Financave.
“Kjo sajesë, njësoj si Agjencia e Mediave dhe ajo e Bashkëqeverisjes, do të jenë hambari i punësimeve politike dhe partiake që do të zhvlerësojnë dhe shumëzojnë me zero infrastrukturën dhe paratë e shpenzuara për punësimin e administratës civile”, shkruan Tabaku.
Ajo thekson se kjo agjenci i jep mundësinë Edi Ramës dhe atij që do ta drejtojë atë të abuzojnë me fondet e BE-së dhe donatorëve të tjerë më lehtësisht.
“Shqipëria kështu po degjeneron përditë e më shumë në një shtet të kapur nga mafia, oligarkia dhe korrupsioni permanent që po shpërthen metastazat e tij çdo ditë e më shumë. Së fundi, jo nga rëndësia, kjo Agjenci do të distancojë qytetarët dhe përfituesit nga entitetet që ofrojnë fondet”, tha Tabaku.
Top Channel