Grushti i shtetit në Sudan/ Raportime për vrasjen e dy protestuesve nga forcat e sigurisë

30/10/2021 17:01

Mijëra vetë protestuan sot në Sudan, kundër një grushti shteti ushtarak që rrezikon tranzicionin e vendit drejt demokracisë.

Grupet pro-demokracisë kishin bërë thirrje për protesta masive në të gjithë vendin për të nxitur kërkesat për rivendosjen e një qeverie të rrëzuar të përkohshme dhe lirimin nga burgu të figurave të larta politike.

Sipas njoftimeve forcat e sigurisë qëlluan për vdekje dy protestues.

Më herët Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se forcat e sigurisë së Sudanit duhet të respektojnë të drejtat e njeriut dhe se çdo akt dhune kundër demonstruesve paqësorë është “i papranueshëm”.

Në një postim në Twitter zoti Blinken shkruante se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë me “popullin e Sudanit në luftën e tyre paqësore, për demokraci”.

Përfaqësuesi i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Sudanin dhe Sudanin e Jugut, Robert Fairweather tha gjithashtu të shtunën se forcat e sigurisë duhet të respektojnë të drejtën e popullit sudanez për të protestuar.

Kundërshtarët e një grusht shteti ushtarak në Sudan kanë bërë thirrje për protesta mbarëkombëtare të shtunën për të kërkuar rivendosjen e një qeverie civile, për ta kthyer vendin në rrugën drejt demokracisë pas disa dekadash sundimi autoritar./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA