Një 54-vjeçar u arrestua pas 7 orësh negociata me specialistë të policisë greke në Leraptera të ishullit të Kretës, pasi donte të vriste veten duke u hedhur nga një shkëmb i lartë.
Më herët, ai kishte gjuajtur tetë herë me thikë, duke e lënë të vdekur ish-bashkëshorten e tij 48 vjeçe.
Viktima është Nektaria, nënë e katër fëmijëve, 25, 22 dhe dy vajzave binjake 18-vjeçare. Greqia është shokuar përsëri sepse fenomeni i vrasjes së grave vazhdon dhe kjo është e 13-ta që vritet në vend, që nga fillimi i vitit.
Nektaria ka shkuar për të kërkuar punë, kur u sulmua nga i shoqi, i cili në fillim e ka goditur me motorin e tij e më pas e ka gjuajtur tetë here me thikë, ndërsa ajo ka rënë e vdekur në një pellg gjaku.
Sipas dëshmive, vrasësi kishte kërcënuar viktimën dy ditë më parë, dhe e ndiqte ku shkonte, por ajo ishte e pambrojtur.
Ish-bashkëshorti i saj ishte i njohur për komunitetin lokal si person dikur me te ardhura të mira financiare, pronar kamionësh, por që tashmë ishte fundosur në borxhe dhe ka humbur gjithçka pasi bankat i konfiskuan pasuritë dhe prej atëherë kishte ndryshuar edhe sjelljen e tij.
Dëshmitë e personave që e njihnin autorin thonë se 54-vjeçari e kishte paralajmëruar vrasjen prej kohësh, duke pasur mosmarrëveshje të mëdha me Nektarian. Sipas tyre, shpeshherë ai deklaronte se do ta vriste ish-bashkëshorten.
Në vendngjarje ka shkuar një negociator special i policisë, i cili kishte pranë edhe një prej fëmijëve që i lutej babait të mos vriste veten. Një ambulancë dhe një automjet i zjarrfikësve ndodheshin aty pranë, si dhe një skaf i rojës bregdetare pranë shkëmbit ku vrasësi kërkonte të vetëvritej. Në fund është dorëzuar dhe është dërguar në fillim në spital me hipotermi për shkak të temperaturave të ulta në atë zonë të ishullit.
Top Channel