Një grup prej 18 kombesh, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, kanë shprehur “shqetësim të thellë” ndaj atyre që i kanë cilësuar si “ngacmime në rritje” të Qeverisë ruse ndaj gazetarëve të pavarur edhe mediave tjera në këtë shtet.
Deklarata, e publikuar nën emrin Koalicioni për Liri të Mediave, është nënshkruar edhe nga Ukraina, Maqedonia e Veriut, Australia, Kanadaja, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Gjermania, Greqia, Islanda, Letonia, Lituania, Holanda, Zelanda e Re, Sllovakia dhe Sllovenia.
Në deklaratë është thënë se “liria e mediave është shumë e rëndësishme për funksionim të shoqërive të lira dhe të hapura dhe është thelbësore për mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore”.
Autoritetet ruse janë akuzuar për shtypje të mediave të pavarura, grupeve për shoqëri civile, aktivistëve dhe pjesëtarëve tjerë të shoqërisë, si dhe për përdorim të të ashtuquajtuarit ligj për “agjentë të huaj”.
Në deklaratë është përmendur edhe se autoritetet ruse në Krime janë duke mbajtur korrespodentin e Radios Evropa e Lirë, Vladyslav Yesypenko nga muaji mars dhe është raportuar se e kanë torturuar atë gjatë ndalimit.
“Më 15 korrik, Yesypenko është paditur dhe mund të dënohet me 18 vjet burgim”, është thënë në deklaratë.
Yesypenko, qytetar me shtetësi ruse dhe ukrainase është ndaluar me dyshimet se ka mbledhur informacione për inteligjencën ukrainase.
Ai ka punuar për pesë vjet në Krime, duke raportuar për shoqërinë dhe ambientin në këtë rajon.
Presidenti i Radios Evropa e Lirë, Jamie Fly, e pati përshkruar rastin e ndalimit të gazetarit si shembullin e fundit të fushatës së Kremlinit për të shënjestruar mediat e pavarura.
Në deklaratë po ashtu është përmendur se Radio Evropa e Lirë është gjobitur nga autoritetet ruse në vlerë të 4.4 milionë dollarëve, nën ligjin për agjentë të huaj.
“Duket se Qeveria ruse tenton ta detyrojë Radion Evropa e Lirë që t’i japë fund prezencës disa dekadëshe në Rusi, ashtu siç ka detyruar mbylljen e mediave tjera të pavarura në vjetët e fundit”.
Rusisë i është bërë thirrje në deklaratë që të veprojë në përputhje me përkushtimet ndërkombëtare për të drejta të njeriut dhe të respektojë lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve.
Top Channel