Mbretëria e Bashkuar nuk do të hezitojë t`i përgjigjet Francës me të njëjtën monedhë, paralajmëroi sekretari britanik i mjedisit, George Eustice në mesin e sherrit mbi të drejtat post-Brexit të peshkimit, i cili u ndez sërish këto ditë.
“Kjo është një lojë të cilën mund ta luajmë edhe ne, më mirë mos i hyni”, ishte mesazhi i nënkuptuar i tij.
Franca ka deklaruar se mund t`i ndalojë anijeve britanike hyrjen në portet e saj nëse mosmarrëveshja mbi licencat e peshkimit nuk zgjidhet deri të martën.
Eustrice u shpreh se gjuha e përdorur nga francezët “i hedh benzinë zjarrit”.
Këtë cështje, ai e ka shtruar për diskutim edhe në Komisionin Europian, ndërsa ambasadori francez është thirrur për bisedime.
Franca sekuestroi më herët një peshkarexhë angleze, nën akuzën se ka shkelur ujërat e saj territoriale, një incident ky që rikthen tensionet e lindura mes dy vendeve pas Brexitit për çështjen e peshkimit.
Parisi kërcënon të bllokojë lëvizjen e mallrave nga Britania e Madhe, ndërsa Boris Johnson nga ana e tij shprehet i gatshëm për kundërpërgjigje.
Franca po kështu ka lënë të kuptohet se mund t`i ndërpresë Anglisë furnizimin me energji, pasi Mbretëria e Bashkuar merr prej saj gati 95% të energjisë së vet përmes tre kabllove të fuqishme nënujore.
Top Channel