“Qeveria do marrë në përgjegjësi sektorin”/ Rama paralajmëron kryebashkiakët: Merrni masat para se…

29/10/2021 13:09

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se qeveria do të marrë në përgjegjësi sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, për ta ndryshuar situatën që ai e quajti “hemorragji papërgjegjshmërie”.

Rama tha se me ndihmën e partnerëve do të bëhen skanime të të gjithë burimeve njerëzore, ndërsa i kërkoi kryebashkiakëve që të marrin masa vetë para se këto pasqyra të tregojnë gjëra që të mbeten në histori e humorit shqiptar.

“1 mld euro investime qeveria shqiptare dhe partnerët për ta zgjidhur një herë e mirë problemin me ujin, po si mund të shkojë uji 24 h kur humbjet shkojnë si në Vlorë gati 80%. Si mundet? Është e pamundur.

Ne kemi përgjegjësi që nuk mund ta shmangim dhe delegojmë dot më, duke ju thënë qytetarëve që ujësjellësin e ka bashkia, se qytetarët kërkojnë shërbimin s’duan të dinë kush e ka. Pjesa dërrmuese bashkive janë në shkelje të ligjit, por më e rënda është që përgjegjësinë e delegojnë te qeveria. Ne do ta marrim këtë përgjegjësi dhe bashkërisht do ta ndryshojmë kursin e kësaj historie duke iu lutur donatorëve që të përfshihen në këtë proces dhe me ndihmën e tyre do të bëjmë një skanim të të gjithë burimeve njerëzore.

Çfarë profili dhe kapacitetesh menaxheriale kanë drejtorët, të gjithë shefat e ujësjellësit, sa janë në profilin e tyre punonjësit e ujësjellësit dhe sugjerimi im do të ishte që t’i merrni masat vetë para se këto pasqyra të tregojnë gjëra që të mbeten në histori e humorit shqiptar, t’i merrni masat vetë”, tha Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA