Pasi i bëri për “ujë të ftohtë” kryetarët e bashkive një javë më parë për situatën e krijuar me menaxhimin e mbetjeve në vend, kryeministri Rama i kishte ftuar përsëri këtë të premte në Kryeministri për një tjetër “shuplakë” në lidhje me situatën e tmerrshme, sipas tij, të arkëtimeve nga ana e ujësjellësve në vend.
Si një javë më parë, Edi Rama i paralajmëroi kryebashkiakët se Qeveria qendrore do të ndërhyjë në situatën skandaloze që është me ujësjellësit në vend, duke iu kërkuar përfaqësuesve të pushtetit vendor të mos ndërhyjnë me argumentin se janë autonomë.
Ai e konsideroi “gangrenë” të gjithë sektorin, por arriti të veçojë si shembull negativ bashkitë Vlorë e Kavajë dhe si shembull pozitiv bashkinë Korçë e Pogradec. Rama tha se abuzimi më i madh bëhet nga bizneset dhe jo nga familjet në nevojë.
“Abuzimin më të madh nuk e bëjnë konsumatorët familjarë, por bizneset, hotelet, ata që kanë më shumë, jo ata që kanë më pak. Se nuk i vjen ujësjellësve e keqja nga familjet në nevojë. Nuk dua të zgjatem shumë, por dua të them që kjo gjendje është në kufijtë e absurditetit. Ministria e Energjisë do të ndërhyjë menjëherë për të kthyer tendencën, për të ndërtuar një proces ndërveprimi me partnerët dhe e ju, për të riorganizuar të gjithë sistemin, me themel dhe cilido që nuk do dojë të kuptojë se një ndërmarrje ujësjellësi që nuk mbulon as pagat, as sigurimet shoqërore dhe që mban me borxhe lista të tëra punonjësish është pasqyra më dëshpëruese e papërgjegjshmërisë”, tha Rama.
Ndërmarrjet e ujësjellësve në vend i cilësoi si piramida që gllabërojnë para, ndërsa u kujtoi kryebashkiakëve se deri më tani janë investuar 1,2 miliard euro, një shifër kjo shumë e lartë dhe asgjë nuk po merret mbrapsht.
“Mbi 1 mld euro investime ka bërë qeveria shqiptare dhe partnerët për ta zgjidhur një herë e mirë problemin me ujin, po si mund të shkojë uji 24 h kur humbjet shkojnë si në Vlorë gati 80%. Si mundet? Është e pamundur. Ne kemi përgjegjësi që nuk mund ta shmangim dhe delegojmë dot më, duke ju thënë qytetarëve që ujësjellësin e ka bashkia, se qytetarët kërkojnë shërbimin s’duan të dinë kush e ka. Pjesa dërrmuese bashkive janë në shkelje të ligjit, por më e rënda është që përgjegjësinë e delegojnë te qeveria. Ne do ta marrim këtë përgjegjësi dhe bashkërisht do ta ndryshojmë kursin e kësaj historie duke iu lutur donatorëve që të përfshihen në këtë proces dhe me ndihmën e tyre do të bëjmë një skanim të të gjithë burimeve njerëzore”, tha ai.
Rama tha se nuk do i “bihet më me top” votës së qytetarëve, duke punësuar njerëz që marrin rroga pa shkuar në punë, bëjnë dëme pa qenë fare në Shqipëri, sepse ky është një abuzim flagrant dhe fyes me votën e qytetarëve.
“Nuk janë mall i huaj të cilit prej 30 vitesh i bihet me top, duke shpërdoruar mandatin e dhënë nga qytetarët. Këto nuk janë zyra punësimi për njerëz që nuk duan të punojnë, por vetëm të marrin një rrogë pa qenë fare në Shqipëri apo për njerëz që shkojnë në punë dhe bëjnë dëme. Është shumë e trishtueshme kjo pamje dhe e bëmë që të japim një mesazh për të gjithë dhe për të marrë ne përgjegjësinë në emër të autonomisë, të së drejtës të pushtetit vendor për të qenë i lirë të marrë vendime, nuk mund të shkohet deri këtu. Ky është abuzim i hapur me votën e popullit. Është abuzim flagrant, fyes, arrogant fare me votën e popullit”, tha Rama.
Kryeministri nënvizoi se drejtuesit e ujësjellësit në të gjithë vendin nuk do të zgjidhen më në të njëjtën mënyrë siç janë zgjedhur deri më tani, pasi Qeveria nuk do ta lejojë më këtë.
Kësaj radhe e pranishme në takim në Kryeministri ishte edhe Voltana Ademi, kryebashkiakja e Shkodrës, e vetmja që i përket Partisë Demokratike nga 61 të zgjedhurit vendorë.
Top Channel