Pensionet do rriten me 600 lekë/ Në 2022, pagat rriten maksimalisht me 4700 lekë

29/10/2021 19:31

Arsimtarët, bluzat e bardha dhe policët do të përfitojnë rritje të pagave vitin e ardhshëm.

Referuar projektbuxhetit 2022, fondi vjetor për rritjen e pagave është 2.4 miliardë, rreth 19.6 milionë euro dhe parashikon rritje këto kategori në masën 6% mbi pagën e funksionit.

Por, sa rritet konkretisht në vlerë paga për këto punonjës të arsimit, shëndetësisë e mbrojtjes?

Një mjek aktualisht ka një pagë për funksion në nivel mesatar 79.8 mijë lekë dhe me shtesën prej 6% paga e tij vitin e ardhshëm rritet me 4 700 lekë, duke u bërë 84.5 mijë lekë.

Kurse për infermierët që kanë një pagë funksion prej 51.8 mijë lekë në 2021, vitin tjetër paga e tyre do të rritet me 1 600 lekë, duke arritur në 53.4 mijë lekë.

Ndërsa për arsimtarët që kanë një pagë mesatare prej 72 mijë lekë aktualisht, do të paguhen vitin e ardhshëm 76.3 mijë lekë, pra paga e tyre do të rritet me 4 300 lekë.

Ndër të tjera, pagat e punonjësve të burgjeve pritet të rriten për t’u barazuar me ato të Policisë së Shtetit, teksa këto të fundit që ushtrojnë veprimtarinë jashtë vendlindjes së tyre do të përfitojnë bonos gjatë vitit të ardhshëm.

Paralelisht, në projektbuxhetin 2022 qeveria parashikon edhe indeksimin e përvitshëm të pensioneve duke vënë në dispozicion një fond prej 2.6 miliardë lekë, rreth 21.2 milionë euro.

Duke marrë si referencë pensionin mesatar të pleqërisë në qytet dhe indeksin prej 2.7% të këtij viti, çdo pensionist në zonat urbane do të përfitojë indeksim pensioni 600 lekë të reja, teksa për pensionistët në zonat rurala që kanë një pension mesatar prej 9.2 mijë lekë shtesa e pensionit është rreth 250 lekë të reja.

Ndërsa qeveria e ka përcaktuar qartë në draft se pensionistët do të përfitojnë  vitin e ardhshëm edhe bonusin e fundvitit dhe për këtë qëllim është ndarë një fond nga buxheti prej 28.5 milionë euro apo 3.5 miliardë lekë, ku çdo pensionist do të shpërblehet me 5 mijë lekë të reja.

Pensionistët do të përfitojnë bonusin edhe këtë vit, por ende Financat nuk kanë përcaktuar se sa do të jetë Fondi që do të alokohet, gjë e cila pritet të përcaktohet në rishikimin e fundit të buxhetit me akt normativ.

Një vit më parë, bonusin e fundvitit prej 5 mijë lekë e përfituan në total mbi 688 mijë pensionistë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA