Në takimin me kryebashkiakët për analizën e performancës së sektorit ujësjellës – kanalizimeve, kryeministri Edi Rama bëri të qartë se nuk do të lejohen rekrutimet për drejtuesit sic janë bërë deri tani.
Në fjalën e tij theksohet se “nuk do i bihet me top” votës së qytetarëve duke punësuar njerëz që marrin rroga pa shkuar në punë dhe bëjnë dëme ndërsa nuk ndodhen aspak në Shqipëri. Këtë e cilëson abuzim flagrant e fyes me votën.
Edi Rama: Me këtë tabelë të humbjeve duke filluar nga Vlora dhe duke shkuar teposhtë në pjesën më të madhe, ju e dini vetë se çfarë bëni, por përgjegjësia duhet të jetë e drejtpërdrejtë që nga drejtuesit deri tek kushdo që ka përgjegjësi menaxhimi. Rekrutimet për drejtuesit nuk do bëhen më sic janë bëë deri tani se nuk do e lejojmë.
Do të kërkojmë dhe ndihmën e partnerëve për të bërë një proces rekrutimi serioz për ndërmarrje se nuk janë mall i huaj të cilit prej 30 vitesh i bihet me top duke shpërdoruar mandatin e dhënë nga qytetarët. Këto nuk janë zyra punësimi për njerëz që nuk duan të punojnë, por vetëm të marrin një rrogë pa qenë fare në Shqipëri apo për njerëz që shkojnë në punë dhe bëjnë dëme. Është shumë e trishtueshme kjo pamje dhe e bëmë që të japim një mesazh për të gjithë dhe për të marrë ne përgjegjësinë në emër të autonomisë, të së drejtës të pushtetit vendor për të qenë i lirë të marrë vendime, nuk mund të shkohet deri këtu.
Ky është abuzim i hapur me votën e popullit. Është abuzim flagrant, fyes, arrogant fare me votën e popullit.
Top Channel