Pas debateve të shumta, në mbledhjen e katërt, palët ranë dakord në Komisionin Hetimor për Zgjedhjet e 25 Prillit, duke miratuar më në fund rregulloren e Komisionit dhe duke zgjedhur si sekretar të tij deputetin socialist Klevis Xhoxhi.
As kjo mbledhje nuk i shpëtoi debateve, veçanërisht pas ndërhyrjes së deputetes Blerina Gjylameti, e cila propozoi se mbledhja e radhës, të kishte një orar më të përshtatshëm, duke sjellë si propozim pasditen e orës 17:00. Të gjithë anëtarët e këtij komisioni ranë dakord, përveç deputetit të LSI-së Petrit Vasili, i cili theksoi se ende nuk është caktuar dita dhe ju caktoni orarin.
“Nëse do të gjejmë një dakordësi të gjejmë ditën dhe orën sipas rregullores të njoftuar 48 orë më parë. Kështu që deri të hënën së bashku me zotin Gogu besoj se do të kemi caktuar një ditë për mbledhjen e radhës në orën 5 të pasdites“, ka mbyllur debatin kryetari i Komisionit Alibeaj.
Megjithatë, ajo çfarë ra në sy më tepër se gjithçka në këtë Komision Hetimor ishte përplasja e fortë mes PD-së dhe LSI-së, ku shkak u bë propozimi i deputetit Petro Koçi në lidhje me miratimin e rregullores. Ai propozoi që në rendin e ditës të ndryshojë togfjalëshi “vazhdim i miratimit të rregullores” me togfjalëshin “shqyrtim i miratimit të rregullores”.
Ky propozim pati miratimin e menjëhershëm nga anëtarët e Partisë Demokratike, por nuk gjeti dakordësi nga anëtari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, sipas të cilit, rregullorja dhe katër nene janë miratuar tashmë në parim dhe mbledhja e sotme nuk mund të jetë kurrësesi një mbledhje shqyrtimi e rregullores, por vazhdim i asaj që është miratuar më përpara.
“Ore të bëj një pyetje. Që t’i kemi të qarta edhe miratimi në parim nuk qëndron, po apo jo? Ky është moment për t’u sqaruar se këtu u bë pazari i gjësë. Nëse është votuar në parim ky është vazhdim, nëse ka rënë dhe ai votim në parim, atëherë unë po ngrihem po iki, në kuptimin e mirë të fjalës”, tha Vasili.
Kryetari i këtij komisioni, z.Alibeaj theksoi se ka qenë një votim në parim, unanim, por sipas tij, votimi nen për nen, nuk shkoi deri në fund dhe për të zgjidhur këtë ngërç, bëri një gjest kalorsiak që duhet ta bëjë gjithsecili nga ata.
Vasili tha se nuk janë këtu për të akomoduar psikopatira, duke theksuar se votimi në parim dhe katër nene kanë pasur dakordësi dhe komisioni duhet të vazhdojë të ecë më tej.
“Nuk jemi këtu ne për të akomoduar psikopatira. Ne po themi që votim në parim dhe katër nene kanë pasur dakordësi, atëherë ecim më tutje. Është vazhdim jo shqyrtim. Keni frikë nga kjo?”, tha ai.
“Nuk ka lidhje me frikën ka të bëj me gjetjen e një gjuhe të përbashkët”, iu përgjigj më tej Alibeaj.
Mbledhja e katërt e këtij komisioni nuk nisi me tonet që përfundoi, që në fillimin e saj, anëtari socialist në Komision Nasip Naço kërkoi që pika 3 e rendit të ditës, që është “Vazhdimi i shqyrtimit të Rregullores së brendshme të funksionimit të Komisionit Hetimor”, të hiqet nga rendi i ditës. Por një kërkesë e tillë nuk u pranua nga kryetari i këtij Komisioni, z.Alibeaj.
Heqja e pikës tre nga rendi i ditës, kërkesë kjo e Nasip Naços, solli reagimin e Gazment Bardhit, i cili tha se kjo kërkesë është aspak serioze, sepse kjo pikë është kërkuar vetë dje nga anëtarët dhe nënkryetari socialist.
“Në mbledhjen e kaluar kur kërkuat të futet në rend dite, ne nuk e kemi shqyrtuar se ju ikët dhe nuk kishte kuorum për çështje votimi. Por pikën 3 të rendit të ditës kanë qenë dy kërkesa të nënkryetarit të komisionit dhe anëtarëve kolegë të mazhorancës. Sot kemi tjetër kërkesë. Kjo nuk më duket serioze. Nuk ka asnjë lidhje me faktin që administrata nuk ka bërë gati procesverbalin. Kemi ngecur në një pikë që nuk përbën arsye që të kemi ndasi me njeri-tjetrin. Nuk është serioze se kemi 6 mbledhje që duam të zgjedhim sekretarin dhe nuk e kemi zgjedhur dot”, tha Bardhi.
“Unë jam serioz në atë që kërkoj. Ne kemi kërkuar që bashkërisht të votonim me konsensus, në parim e kemi votuar rregulloren. Ramë dakord që të fillonim diskutimin nen për nen dhe për ato nenë që nuk biem dakord hajde t’i kalojmë. Ne kemi votuar deri te neni 4 e kemi lënë, ju thoni kemi shkuar deri te neni 17. Ne kemi kërkuar që të jesh moderator dhe jo komentator dhe të mos jesh votë dyfishe. Ju keni humbur zgjedhjet dhe thonë na u vodhën, ne i fituam dhe jemi këtu”, tha Naço.
Ndërsa kryetari i Komisionit, Enkelejd Alibeaj tha se ky ishte propozimi i tij i parë në këtë mbledhje, duke theksuar se kanë rënë dakord në parim që atë draft ta miratonin.
“Nenet e tjera deri te 17-ta janë miratuar dhe më pas jo. Miratimi në tërësi nuk ka ndodhur dhe ajo pikë e rendit të ditës ka rënë në tërësi. Kur nuk votohet në tërësi e dimë që ka rënë”, tha Alibeaj.
Rendi i ditës kishte si pikë të parë miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të kaluara. Pika e dytë, njoftime, pika e tretë vazhdimi i shqyrtimevit të rregullores së brendshme të komisionit hetimore, e katërta zgjedhja e sekretarit të komisionit, e pesta caktimi i mbledhjes së ardhshme.
Lidhur me procesverbalet, Alibeaj tha se pas konsultimit me sekretarinë e komisionit ato janë zbardhur, pritet dhe zbardhja e mbledhjes paraardhëse. Ato do të zbardhen dhe më pas do të nënshkruhen në mbledhjen tjetër. Ndërkohë sa i përket njoftimeve, ai tha se deputetët kanë bërë disa kërkesa për informacion drejtuar institucioneve, ku përfshihet kryeministri Edi Rama, kreu i Kadastrës Artan Lame, drejtori i Gjendjes Civile Bledar Doracaj, ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Gledis Nano etj. Kërkesat do të shpalosen deri më 14 nëntor, kur do të prezantohet dhe plani i hetimit.
Top Channel