Gazetarët refugjatë afganë mbajnë gjallë shtypin e lirë nga Shqipëria

29/10/2021 19:21

Shtatëmbëdhjetë gazetarë afganë të strehuar në Shqipëri pas pushtimit të talebanëve po punojnë larg shtëpisë për dy gazeta afgane online, Etilaat e Roz dhe Hasht e Subh.

Tani për tani, ata po punojnë nga dhomat e hoteleve ku po qëndrojnë, ndërsa po përgatitet një dhomë e cila do të shërbejë si zyrë dhe redaksi e përbashkët.

Elyas Nawandish, kryeredaktori online i Etilaat e Roz, i cili mbërriti në Shqipëri në fund të gushtit dhe po qëndron në Lezhë, tha për BIRN se ata po mbulojnë nga distanca ngjarjet në Afganistan, si dhe gjërat që kanë lidhje me të.

“Ne po mbulojmë të gjitha lajmet, ngjarjet dhe problemet që ndodhin në Afganistan dhe që lidhen me Afganistanin: çështjet e sigurisë dhe ato politike, varfërinë, kulturën, gratë, të drejtat e njeriut dhe të gjitha gjërat e tjera që lidhen me Afganistanin dhe popullin afgan”, tha ai për BIRN.

Mujibrahman Mehrdad, kryeredaktor i Hasht e Subh tha për BIRN se ata punojnë së bashku me kolegët ende të pranishëm në terren në Afganistan.

“Ne po bëjmë një punë hibride, pasi zyra jonë është ende në Kabul dhe gazetarët tanë mbulojnë gjithçka, por nga këtu ne mbulojmë çështjet që shohim këtu dhe analizojmë gjithashtu çështjet aktuale”, tha ai për BIRN.

Shqipëria ka pritur rreth 2,000 refugjatë afganë që iu larguan sundimit taleban, duke përfshirë rreth 50 gazetarë, që nga fundi i gushtit, kur talebanët morën pushtetin.

Afganëve në Shqipëri u është dhënë statusi i “mbrojtjes së përkohshme” për një vit, me mundësi shtyrjeje, nëse është e nevojshme.

Nawandish tha për BIRN se gazetarët e mërguar duhet të punojnë falas për shkak të mungesës së fondeve dhe së fundmi kanë organizuar një dhomë hoteli si zyrë.

“Sot po përgatis një dhomë për të filluar punën tonë nga këtu. Më mungojnë shumë gjëra nga zyra ime. Shokët, kolegët e mi, qyteti, rrugët ku kam ecur në 10 vitet e fundit në Kabul, gjithçka”, tha ai.

“Nuk mund t’i përshkruaj dot ndjenjat e mia. Është shume e vështire. Brenda një dite ose një jave, humba gjithçka që kisha në Afganistan. Familja ime është ende atje, kolegët e mi janë atje, miqtë e mi, kujtimet e mia… Kjo bën që të më marrë malli ende për Kabulin”, tha ai për BIRN.

I pyetur nëse ishte sfiduese të punojë nga Shqipëria, Nawandish u përgjigj “po” dhe “jo”.

“Mund të themi edhe “po” edhe “jo”. Po, sepse jemi larg vendit tonë dhe nuk kemi qasje në terren dhe kjo është një sfidë e madhe. Për çdo gazetar që punon në distancë, është e vështirë, sepse si gazetar, kur shkruan për diçka, duhet ta ndjejë dhe ta shohë atë që ndodh. Duhet të dish se çfarë po ndodh në terren. Kur je larg ngjarjeve apo vendit, është e vështirë,” tha ai për BIRN.

“Them ‘jo’ sepse tani po fokusohemi te puna jonë online. Nuk kemi limit kohor apo distancë, pasi disa kolegë janë ende në Afganistan, disa janë në Shqipëri, të tjerë janë në vende të tjera, si Katari dhe Pakistani”, shtoi ai.

Mehrdad tha për BIRN se ata mbajnë takime virtuale me kolegët e tyre në Kabul përpara se të shkruajnë raportet dhe analizat e tyre.

“Të jesh larg vendit është sfiduese. Humb lidhjet e tua të drejtpërdrejta me burimet, si media nuk ke infrastrukturë dhe hapësirë, humb të gjitha burimet e të ardhurave. Të punosh në rrethana të tilla është e vështirë”, tha ai për BIRN.

Në Afganistan, atij i mungon më shumë “liria e fjalës”.

“Aty kishim redaksinë tonë, stafin tonë, hapësirën tonë dhe mbi të gjitha qytetin tonë dhe lirinë tonë”, tha ai.

“Që nga rënia e qeverisë, kemi humbur shumë gjëra atje, përfshirë edhe lirinë e fjalës. Jemi larg, por ende ndjejmë presionin nga talebanët, pasi kolegët tanë janë ende në Kabul dhe punojnë atje”, tha ai për BIRN.

Fjori Sinoruka

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA