Biden vjen në Europë/ Presidenti i SHBA ndodhet në Romë për samitin e G20

29/10/2021 12:09

Presidenti amerikan, Joe Biden ka arritur të premten në Evropë, për të zhvilluar një agjendë të ngjeshur, përfshirë pjesëmarrjen në samitin e 20 vendeve më të industrializuara në botë (G20), që këtë vit mbahet në Romë.

Ai do të bisedojë me aleatët për programin bërthamor të Iranit dhe do të zhvillojë një sesion të planifikuar me Papa Françeskun në Vatikan. Biden do të marrë pjesë edhe në Samitin e Kombeve të Bashkuara për Klimën, në Glasgou të Skocisë, teksa bota tenton të përballet me efektet e ndryshimeve klimatike dhe ngrohjes globale. Takimi i parë në agjendë është me Papa Françeskun në Vatikan, më 29 tetor.

Biden është katoliku i dytë që është bërë president amerikan, pas John F. Kennedy. Në samitin e G20-ës, Biden pritet të diskutojë ndaras edhe me presidentin francez, Emmanuel Macron. Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, ka thënë se takimi do të tentojë të ulë tensionet pas arritjes së marrëveshjes për siguri në mes të Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Australisë, që ka ndikuar në humbjen e një pakti që ka pasur Franca për nëndetëse ujore.

Zyrtarët amerikanë kanë theksuar se tema kyçe e një takimi që përfshin Bidenin, Macronin, liderët gjermanë dhe Britaninë, do të jetë statusi i programit bërthamor të Iranit. Sullivan u ka thënë gazetarëve se Biden do të punojë “për një strategji të përbashkët” për Iranin. Biden po ashtu pritet të takohet edhe me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë Sullivan. Erdogan ka thënë se dëshiron të negociojë një marrëveshje me Uashingtonin për aeroplanët luftarakë F-16, pasi marrëveshja për aeroplanët luftarakë F-35 ka dështuar, për shkak të blerjes së sistemeve raketore ruse nga ana e Ankarasë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA