Alibeaj debat me deputetët e opozitës/ Xhaferraj: Të jeni më korrekt në drejtimin e komisionit! Ndërhyn Vasili: Nuk vazhdohet me psikopatira

29/10/2021 11:11

Në mbledhjen e ditës së sotme, pika 3 e rendit të ditës që është “Vazhdimi i shqyrtimit të Rregullores së brendshme të funksionimit të Komisionit Hetimor” ka shkaktuar debate.

Alibeaj pranoi të bëhej një ndryshim, ndërsa pati dhe diskutime mes kryetarit të Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit dhe deputetëve të opozitës. Atyre nuk i pëlqen aspak që i është dhënë fjala vetëm 3 minuta, ndërsa Xhaferraj ngre pyetjen përse i pengojnë që të hetojnë përse PS ka fituar zgjedhjet.

Pjesë nga diskutimi:

Alibeaj: Ju lutem kolegë mund të kem vëmendjen tuaj. Ka rënë ajo pikë e rendit të ditës. Të lutem të mos e bëjmë dialog. Zoti Xhaferraj, më lër të mbaroj fjalën. Mbylle. Ajo pikë e rendit të ditës ka rënë, qëndrimet tona janë këto që janë, secila palë, secili deputet do të duhet t’i verifikojë. Meqë jam unë propozuesi, e tërheq. E lëmë hapësirën ta fillojmë sipas një propozimi…

(Ndërhyjnë vazhdimisht pa mikrofonë.)

Alibeaj: Përderisa s’mori vota, e tërheq. Jemi në pikën për ta rihartuar pikën 0. Gjeneral, ja më në fund…

Xhaferraj: Më vjen keq t’ju kujtoj që duhet të jeni më korrekt në drejtimin e komisionit. Mbledhja ka filluar në orën 10, është ora 11 dhe nga kolegët e opozitës ka folur vetëm 3 minuta Gaz Bardhi. Kemi një orë, jemi 4 kolegë dhe 3 minuta ka folur vetëm Bardhi. Do i lutesha Nacos, kujdes me komentet. E kemi pranuar që jemi opozitë por këtu jemi për të hetuar si keni fituar ju dhe pse jemi ne në opozitë. Pse keni frikë? Ju keni shtet, pushtet, pse doni të na pengoni që të shkojmë t’i pyesim?

Alibeaj: Ne jemi në fazat fillestare të Komisionit Hetimor, e dimë qartë qëndrimin e secilës palë. Talenti, aftësia, mundësia, kapaciteti për të provuar pretendimet e secilës palë qëndron tek fakti sa mundësi do kemi për të sjellë prova. Retorika nuk besoj se nxjerr diçka më shumë se kaq. Të kalojmë tek pika 3 e rendit të ditës.

Vasili: Me demek, edhe miratimi në parim nuk qëndron? Ky u bë pazari i gjësë. Nëse është votuar në parim, është vazhdim. Nëse rast se ka rënë dhe votimi në parim, po ngrihem e po iki.

Alibeaj: Bëra një gjest që nuk është aspak kalorësiak. Është e vërtetë. Ka qenë votimi në parimi por pastaj nen për nen, nuk shkoi deri në fund. Për ta zgjidhur ngërçin…

Vasili: Nuk jemi këtu për psikopatira. Me frikë nuk drejtohet kjo.

Alibeaj: Nuk ka lidhje me frikë, por me eksplorimin e mundësive për të gjetur një gjuhë të përbashkët dhe për çdo grimcë të vogël skepticizmi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA