“Një tjetër përpjekje për ta zhveshur Poloninë nga influence e saj mbi sistemin politik të vendit, është shantazh dhe uzurpim”; kështu e përshkroi zv/ministri polak i drejtësisë, Sebastian Kaleta vendimin e Gjykatës Europiane që e detyron Varshavën të paguajë 1 milionë euro në ditë për shkak se refuzoi të pezullonte funksionin e Dhomës Disiplinore të Gjykatës së Lartë.
“BE-ja injoron dhe anashkalon krejtësisht Kushtetutën Polake dhe vendimet e Gjykatës së saj Kushtetuese. Gjykata Europiane po e tejkalon autoritetin e saj”, deklaroi dhe zëdhënësi i qeverisë, Piotr Muller.
Ai thekson më tek se Bashkimi Europian është një komunitet shtetesh sovrane, të qeverisura nga rregulla të qarta, të cilat dëshmojnë një ndarje kompetencash mes BE-së dhe vendeve anëtare.
Mënyra sesi organizohet gjyqësori i tyre, është kompetencë eksluzive e vendeve anëtare, shprehet ai, duke lënë të kuptohet se nuk do të pranojnë vendimin e bllokut.
“Nuk është ky modeli sesi duhet të veprojë Bashkimi Europian”, tha Muller.
Ka kohë që Bashkimi Europian dhe Polonia janë përfshirë në mosmarrëveshje në lidhje me reformat në gjyqësor të këtij vendi. BE-ja thotë se ato e dëmtojnë pavarësisë e sistemit gjyqësor.
Ekspertët thonë se krijimi i Dhomës Disiplinore është pjesë e përpjekjeve të nacionalistëve në pushtet për të shtuar kontrollin politik në sistemin e drejtësisë. Varshava këmbëngul se masa ishte e nevojshme për të luftuar korrupsionin midis gjyqtarëve.
Top Channel