“Jemi dakord t’i fillojmë negociatat para fundit të nëntorit. Data e saktë do të shpallet javën e ardhshme”, tha kryenegociatori iranian, Ali Bagheri, pas takimit me të dërguarin e Bashkimit Evropian për Iranin, Enrique Mora.
Bashkimi Evropian dhe fuqitë botërore kanë luftuar për ringjalljen e bisedimeve, të cilat janë pezulluar që nga zgjedhjet presidenciale në Iran, në muajin qershor.
Me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, Irani ka kufizuar aktivitetin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
Por, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e ka tërhequr SHBA-në nga marrëveshja në vitin 2018 dhe ka rivendosur sanksione të ashpra kundër Iranit, edhe pse ky i fundit ka vepruar në pajtim me marrëveshjen.
Teherani, në përgjigje pastaj, ka shkelur gradualisht kufijtë e vendosur nga marrëveshja, duke përfshirë edhe pasurimin e uraniumit.
Pasardhësi i Trumpit, Joe Biden, ka propozuar që marrëveshja të ringjallet, por gjashtë raundet e bisedimeve indirekte të SHBA-së me Iranin, që kanë nisur në prill dhe janë mbajtur në Vjenë, nuk kanë sjellë ndonjë përparim.
Në muajt e fundit ka pasur vonesa të vazhdueshme në ringjalljen e bisedimeve, pasi ndërmjetësit e BE-së dhe Irani kanë diskutuar kushtet e rikthimit në negociata.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se Uashingtoni është “i gatshëm” të kthehet në Vjenë për negociata indirekte me Teheranin./ REL
Top Channel