Gjykata Kundër krimit të Organizuar ka sekuestruar një numër asetesh në pronësi të shtetasit Arben Isufaj, i njohur me nofkën Ben Qimja.
Isufaj konsiderohet si më i forti i të fortëve në Fier. Ai është dënuar për trafik droge nga drejtësia Italiane. Referuar dosjes që Top Story disponon, hetimi pasuror ka nisur bazuar në një referim të Policisë që në vitin 2017 por hetimi u finalizua vetëm pas 4 vitesh. Nga perandoria ekonomike që është hetuar nga SPAK, në fund u vendos sekuestrimi vetëm për 13 asete nga të cilat 6 automjete, 5 sipërfaqe toke dhe 2 kompani thuajse inaktive.
Sipas prokurorisë, mes veturave që përdoreshin nga Ben Qimja ishte edhe një AUDI A8 e blinduar në pronësi të ish deputetit Mark Frroku. Mjeti nuk figuron mes atyre që janë sekuestruar. Po ashtu, nuk janë arritur të sekustrohen as disa mjete të tjera të blinduara me të cilat lëviz Isufaj. Mes pronave të hetuara nga prokuroria rezultojnë edhe tregu në Fier me mbi 200 dyqane, disa pallate në Fier e Tiranë të cilat rezultojnë se janë ndërtuar nga kompania “Mateo Konstruksion”.
Sipas organit të akuzës, kompania në fjalë e administruar nga Agim Çako, në fakt është themeluar nga Arben Isufaj. Por, gjykata i ka konsideruar të pamjaftueshme provat.
Top Channel