Policia: Plumbi të cilin e shkrepi aktori Baldwin ishte i vërtetë

27/10/2021 21:19

Shefi i Policisë në Santa Fe, Adan Mendoza, tha të mërkurën (27 tetor) se autoritetet kanë gjetur një predhë të plumbit të vërtetë që ishte shkrepur nga arma e zjarrit e përdorur nga aktori, Alec Baldwin, ku për pasojë mbeti e vdekur drejtorja e fotografisë, Halyna Hutchins.

Në këtë incident mbeti i plagosur edhe regjisori Joel Souza, por ai pas trajtimit të marrë u lirua nga spitali.

Ngjarja ndodhi javën e kaluar derisa po bëheshin provat e xhirimeve të filmit “Rust” në Nju Meksiko.

Mendoza dhe prokurorja e qarkut, Mary Carmack-Altwies, mbajtën një konferencë për media për të dhënë detaje të hetimeve.

Mendoza tha se ende po zhvillohen hetime dhe se ende duhen kryer intervista të shumta. Megjithatë ai shtoi se në këtë fazë disa elemente janë të qarta.

“Mendoj se faktet janë të qarta. Baldwinit iu dha një armë. Arma është funksionale dhe nga ajo është qëlluar me municion të vërtetë”, tha Mendoza.

Ai tha se autoritetet ende janë në kërkim të përgjigjeve për praninë e municionit të vërtetë.

“Nuk do të duhej të ishte aty. Tani do të zbulojmë se si arriti atje dhe pse ishte atje”, shtoi ai, duke konfirmuar se ende nuk ka një aktakuzë për rastin.

Të shtënat kanë shkaktuar tronditje në industrinë amerikane të filmit, duke nxitur një debat rreth sigurisë së protokolleve në film dhe televizion.

Gjatë xhirimeve shumë shpesh përdoren armët e zjarrit të vërteta dhe janë të mbushura me plumba pa kokë – të cilët shkrepën dhe krijojnë zhurmë.

Pas incidentit, aktori Baldwin pati shprehur tronditjen dhe trishtimin e tij.

“Nuk ka fjalë për të përcjellë tronditjen dhe pikëllimin tim në lidhje me aksidentin tragjik që i mori jetën Halyna Hutchins, një gruaje, nënë dhe kolege shumë të admiruar”, pati shkruar ai në Twitter./rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA