Një gjykatë britanike pritet të vendosë këtë javë nëse themeluesi i faqes së internetit Wikileaks, Julian Assange, mund të ekstradohet nga Britania në Shtetet e Bashkuara, nën akuzën për hakerim e vjedhje.
Siç raporton korrespondenti i “Zërit të Amerikës” Henry Ridgwell nga Londra, disa zhvillimeve të reja të javëve të fundit mund të kenë ndikim në vendimin që do të marrë gjykatësi.
Mbështetësit e Julian Assange-t organizuan protesta para një gjykate në Londër, përpara seancës dyditore të apelit, e cila nisi sot.
Prokurorët amerikanë apeluan një vendim të një gjykate më të ulët të muajit janar, sipas së cilës zoti Assange nuk duhet të ekstradohet për shkak të shqetësimeve se ai do të kryente vetëvrasje në një burg të sigurisë së lartë në Shtetet e Bashkuara. Por prokurorët e kundërshtojnë këtë vendim, thotë avokati Nick Vamos, ish-kreu i ekstradimeve në Shërbimin e Prokurorisë së Kurorës Britanike.
“Ajo që ka bërë tashmë qeveria amerikane është të dalë me një garanci specifike se si, ku dhe në çfarë kushtesh do të mbahet ai në burg. Pra, duke bërë të mundur që gjendja e tij shëndetësore të mos ndryshojë dhe që ai të mos rrezikojë të kryejë vetëvrasje, atëherë do të supozohej se qeveria amerikane e ka kaluar provën ku u bazua vendimi i gjyqtarit të gjykatës më të ulët”, thotë Nick Vamos, partner në firmën ligjore “Peters & Peters”.
Çështja ka gjasa të ndikohet dhe nga zhvillime të tjera që kanë ndodhur që nga vendimi i muajit janar. Një ish-punonjës i brendshëm i Wikileaks-it, i kthyer tashmë në një informator të FBI-së, ka thënë se ai ka falsifikuar prova të përdorura nga prokuroria kundër Julian Assange.
Ndërkohë, muajin e kaluar faqja e lajmeve në internet “Yahoo News” publikoi një artikull ku pretendohej se CIA kishte komplotuar për të rrëmbyer dhe vrarë Julian Assange-n në vitin 2017. “Yahoo” thotë se artikulli bazohej tek intervistat me 30 ish-zyrtarë amerikanë të zbulimit e të sigurisë kombëtare.
“Në gjykatë do të argumentohet se nëse CIA ishte e gatshme ta vriste atë, dhe ky është një krah i qeverisë amerikane, atëherë nuk mund të besohet se krahu tjetër, po i qeverisë amerikane, Departamenti i Drejtësisë, do të veprojë me drejtësi e do ta ndjekë atë penalisht në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut dhe atë që konsiderohet si gjykim i drejtë”, thotë Nick Vamos, partner në firmën ligjore “Peters & Peters”
CIA dhe avokatët amerikanë që drejtojnë procesin e ankimit për ekstradim në gjykatën e apelit, nuk kanë komentuar ende mbi artikullin e “Yahoo News”. Ish-drejtori i CIA-s dhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, tha gjatë një interviste për gazetaren Megyn Kelly, në podkastin e saj, se të gjitha veprimet e ndërmarra ishin “në përputhje me ligjet amerikane”.
Në vitet 2010-2011, zoti Assange mbikëqyri publikimin nga “Wikileaks” të dhjetëra mijëra kabllogrameve diplomatike e informacioneve ushtarake në lidhje me luftërat në Irak dhe Afganistan.
Zoti Assange thotë se rrjedhja e këtyre informacioneve, nxorri në pah abuzimet e kryera nga ushtria amerikane, një arsye e madhe se pse mbështetësit e tij thonë se çështja e lirisë së shtypit ndodhet në rrezik.
“Ekziston një problem tejet i madh me lirinë globale të medias. Ky rast mund të krijojë një precedent të fortë për çdo gazetar, çdo botues, që do të përpiqet të bëjë publike veprimet e paligjshme të qeverisë, në mënyrë që ajo të mbahet përgjegjëse”, thotë Julia Hall, përfaqësuese e “Amnesty International”.
Zoti Assange po mbahet në një burg në Londër për shkak të rrezikut që ai paraqet siç thonë autoritetet për t’u larguar nga vendi. Ai përballet me 18 akuza federale të qeverisë amerikane që lidhen me dyshime për hakerim, vjedhje të materialeve sekrete dhe zbulim të identitetit të informatorëve amerikanë, që siç thonë prokurorët, u vuri atyre jetën në rrezik.
Marrja e vendimit në gjykatën e apelit ka të ngjarë të zgjasë disa javë. Të dyja palët mund ta çojnë çështjen në Gjykatën e Lartë britanike, çështje që do të kërkonte vite për t’u shqyrtuar. Megjithatë, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë mund të vendosin kundër shqyrtimit të saj.
Top Channel