Kërkesa për shpalljen ‘non grata’ të 10 ambasadorëve nga ana e Presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan ka shkaktuar një sërë reagimesh. Mes tyre ishte edhe lideri i opozitës, Kemal Kilicdaroglu, i cili e cilësoi Presidentin si “një psikopat që thotë gjithçka që i vjen nëpër mend”.
Ai foli për një person që sipas tij ka probleme të shëndetit mendor dhe të cilit qytetarët “nuk mund t’i besojnë vendin”.
Sulmi i ashpër i Kilicdaroglu ndaj Erdoganit vjen në një kohë kur presidenti turk dhe mediat proqeveritare po përpiqen të paraqesin si “fitore” përshkallëzimin e krizës me 10 ambasadorët, pas deklaratës së tyre në rrjetet sociale se “ata respektojnë punët e brendshme si dhe të drejtën e brendshme të çdo vendi”.
Më herët 10 ambasadorë të vendeve të ndryshme kishin kërkuar lirimin e Osman Kavalas, aktivistit për të drejtat e njeriut dhe filantropit, i cili ndodhet në burg që nga fundi i vitit 2017, i akuzuar për financimin e demonstratave dhe pjesëmarrjen në grushtin e dështuar të shtetit në 2016.
Top Channel