“Një grup i vogël individësh të pasur mund të ndihmojnë në zgjidhjen e urisë në botë, me vetëm një përqindje të vogël nga vlera neto e pasurisë së tyre”. Kështu është shprehur drejtori i Programit Botëror të Ushqimit së OKB-së.
David Beasley në një intervistë për CNN, përmend në veçanti dy njerëzit më të pasur në botë, Jeff Bezos dhe Elon Musk.
“6 miliardë dollarë për të ndihmuar 42 milionë njerëz që do të humbin jetën nëse nuk i ndihmojmë nuk është kaq e komplikuar”, tha ai.
Drejtori ekzekutiv i Tesla-s, Musk ka një pasuri prej afro 289 miliardë dollarësh, që do të thotë se Beasley ‘po kërkon’ që Musk të dhurojë vetëm 2 përqind të pasurisë së tij.
Pasuria e miliarderëve amerikanë thuajse është dyfishuar që nga fillimi i pandemisë, duke qëndruar në shifrat prej 5.04 trilion dollarë në muajin tetor.
“Një “stuhi e përsosur” e disa krizave, si ndryshimi i klimës dhe pandemia Covid-19, do të thotë që shumë kombe “po trokasin në derën e urisë”, tha Beasley më tej.
Gjysma e popullsisë së Afganistanit, 22.8 milionë njerëz, përballen me një krizë urie, sipas një raporti. Papunësia e shfrenuar dhe kriza e likuiditetit do të thotë se vendi po kalon në prag të një krize humanitare dhe 3.2 milionë fëmijë nën moshën pesë vjeç janë në rrezik, përfundoi raporti.
Organizatat humanitare si ajo e Programit Botëror të Ushqimit, kanë luftuar për të siguruar furnizime për ata në nevojë, duke e komplikuar krizën.
“Nuk e di se nga po marrin ushqim”, tha Beasley, duke shtuar: “Na ka mbaruar karburanti. Na kanë mbaruar paratë”.
Top Channel