Ushtria Çlirimtare e Kinës kishte spekuluar prej kohësh për prodhimin e një varianti me dy pilotë të gjuajtësit të saj elitar J-20, çka duket se konfirmohet së fundmi nga pamje të dala në rrjet.
Avionët e rëndë anti-radar kinezë J-20 kanë hyrë në shërbim në vitin 2017 dhe ishin asokohe të parët e kesaj teknologjie që prodhoheshin jashtë Shteteve të Bashkuara.
Ata u krijuan për të rivalizuar gjuajtësin elitar amerikan F-22 Raptor, me atribute si lartësi të madhe fluturimi, shpejtësi të lartë dhe masë të zgjeruar armatimesh.
Ashtu si homologu amerikan F-22, J-20 u pajis me një radar anti-zbulim për të shtuar shanset e mbijetesës ne beteje.
Edhe F-22 fillimisht mendohej të krijohej si gjuatës me dy pilotë por ky program u anullua në 2011 si rezultat i kostove të mëdha.
Por Kina duket se ka plane më ambicioze për modelin e saj të rëndë J-20 i cili vijon të përmirësohet me teknologji të reja, që prej inteligjencës artificiale deri te motorët kinezë WS-15 që tashmë prodhohen në vend.
Krijimi i variantit me dy pilotë të J-20 është simbol i zhvillimit të Kinës si një fuqi ajrore.
Në një kohë kur SHBA ka anulluar disa nga variantet superiore të gjuajtësit F-22 dhe kur Rusia po prodhon avionin e saj anti-radar Su-57 vetëm në shkallë të vogël, Kina duket në pozicion të marrë komandën e fushës, shkruan rrjeti militarywatchmagazine.com
Top Channel