Duhej të ishte një fundjavë gëzimi, por u kthye në makth për familjen Çangu në Nikël të Krujës. Të gjithë kanë qenë në gjumë kur persona ende të paidentifikuar u kanë hyrë në shtëpi dhe i kanë terrorizuar, ndërsa janë përleshur me kryefamiljarin, biznesmenin Nazmi Çangu, baba i 4 fëmijëve.
Ende i shokuar dhe tejet i lodhur nga ajo që kaloi, Nazmiu tregon se grabitësit i janë shfaqur në dhomën e gjumit ku i janë prezantuar si punonjës të Policisë së Shtetit. Persona të tjerë, pjesë e grupit të grabitësve, kanë mbajtur të mbyllur në dhoma bashkëshorten, 3 fëmijët e Nazmiut si dhe një shoqen e vajzës së tij, që natën e kaluar ndodhej në shtëpinë e tyre.
Nazmiu përleshet me grabitësit dhe thotë se ka identifikuar të folurën e tyre, si banorë të zonës së Kurbinit a Malësisë së Krujës.
Një gjë është e sigurtë, që grabitësit e njihnin mirë familjen e Nazmiut pasi dhe fëmijëve u janë drejtuar në emër, po Nazmiu thotë se nuk ka ende dyshime konkrete.
Fillimisht, grabitësit kanë gjetur një shumë prej 8 mijë eurosh dhe çelësat e shtëpisë e të kasafortës mbi raftin e dhomës së gjumit. Më pas kanë marrë gjithçka në kasafortë, mbi 120 mijë euro në lekë dhe valutë të huaj, si dhe bizhuteri të shtrenjta. Kanë vjedhur edhe një nga dy armët e gjahut që Nazmiu mbante me leje dhe janë larguar nga pjesa e pasme e shtëpisë duke u marrë celularët dhe mbyllur derën e jashtme, për të vonuar njoftimin e policisë.
Pas largimit të grabitësve, britmat e familjes kanë zgjuar vëllanë e tij, Flamuri që banon në vilën ngjitur. Në kamerat e sigurisë së saj është fiksuar një person që hyn në oborr duke kapërcyer avllinë dhe kalon në pjesën e pasme të shtëpisë për të lehtësuar hyrjen e grabitësve të tjerë nga dera e pasme.
Nga hetimet e para rezulton se grabitësit janë kujdesur të mos lënë pas gjurmë, ndërsa Nazmiu dhe familja e tij presin drejtësi për ngjarjen e rëndë.
Top Channel