Aktiviteti i pasurive të paluajtshme po shënon rritje të shpejtë gjatë vitit të fundit.
Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se pas një ngadalësimi në tremujorin e parë të këtij viti, ky aktivitet u zgjerua sërish me shpejtësi në periudhën prill-qershor, kur transaksionet arritën në 230 milionë euro, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.
INSTAT raporton aktivitetin e pasurive të paluajtshme në treguesin e Prodhimit të Brendshëm Bruto, me çmime korente (të papërshtatura sezonalisht).
Siç duket edhe nga grafiku “Aktivitete të pasurive të paluajtshme, T I 2018-T II 2021” nga viti 2006 deri në fillim të 2008-s, ky segment ka pasur rritje të moderuar, me përjashtim të një kërcimi të përkohshëm në fillim të vitit 2014.
Nga fillimi i vitit 2018, tregu hyri në një cikël rritje më të shpejtë, që nuk ndaloi as me fillimin e pandemisë, kur vendi hyri në karantinë dhe ekonomia shënoi një cikël rënës të shpejtë, sidomos në tremujorin e dytë 2020, që u shoqërua me rënie të punësimit dhe konsumit.
Në kontrast, aktiviteti i pasurive të paluajtshme në këtë periudhë u rrit me mbi 6%, ndërsa e gjithë ekonomia ra me më shumë se 10%. Në vitin 2020, pesha e aktivitetit të pasurive të paluajtshme në Prodhimin e Brendshëm Bruto u rrit me gati 1 pikë përqindje, duke arritur në 6.55%, niveli më i lartë që nga viti 2009, sipas të dhënave të INSTAT.
Tendenca vijoi dhe në muajt në vijim dhe rritja e aktivitetit të pasurive të paluajtshme ishte sërish e fortë në tremujorin e dytë 2021.
Në mënyrë paradoksale, pesha që zë aktiviteti i pasurive të paluajtshme në ekonomi është në linjë të kundërt me atë që po ndodh me popullsinë e vendit, që në fakt janë dhe blerësit potencialë. Për shkak të plakjes natyrore dhe emigracionit të lartë, popullsia ka hyrë në një cikël tkurrës.
Në fund të vitit 2020, vendi kishte 2.83 milionë banorë, me tkurrje prej 3.7% në krahasim me 2008-n, ose rreth 110 mijë banorë më pak (ky është vlerësim, pasi vetëm në 2022 do të mësohet i saktë numri i popullsisë kur të bëhet Censi i INSTAT).
Për më tepër, popullsia në moshë të re, që është potenciale për blerjen e një banese, po bie me shpejtësi. Sipas INSTAT, pesha e popullsisë nën 40 vjeç (që potencialisht mund të marrë një kredi në bankë) në fund të 2020-s ishte 58.7%, nga 68% në vitin 2008.
Ndërkohë, çmimet e apartamenteve në Tiranë po shtrenjtohen vazhdimisht, ndërsa pagat nuk po rriten me të njëjtin ritëm, duke ulur fuqinë blerëse reale. Sipas Bankës së Shqipërisë, që nga viti 2013-2014, çmimet mesatare të apartamenteve janë rritur me rreth 43% deri në fund të vitit 2020.
Çmimi mesatar i një metri katror në kryeqytet në fund të 6-mujorit të parë 2021 arriti në 1102 euro/metër katror, sipas indeksit të “Keydata Albania”, një publikim nga Çelësi Media Group. Çmimet luhaten nga rreth 700-800 euro/m2 në periferi deri në 4 mijë euro/m2 në kullat në qendër të qytetit.
Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë se për të njëjtën periudhë (2014-2020) paga mesatare në vend është rritur me rreth 18% në vlerë nominale (nga 45.5 mijë lekë në muaj në 2014-n, në 53.7 mijë lekë në muaj për 2020-n). Por e indeksuar me inflacionin mesatar vjetor, rritja reale e pagave është rreth 5% (sipas përllogaritjeve të Monitor, bazuar në të dhënat zyrtare për inflacionin nga INSTAT).
Një individ me pagën mesatare 45.5 mijë lekë në vitin 2014 i duhej të punonte rreth 50.6 vjet për të blerë një shtëpi 90 metra katrorë, e llogaritur me çmimin mesatar të vitit përkatës. Gjashtë vite më vonë, një individ me pagën mesatare 53.7 mijë lekë do të duhet të punojë rreth 69.3 vjet, ose gati 19 vjet më shumë pa llogaritur marrjen e një kredie, krahasimi është bërë për të treguar se sa ka rënë fuqia blerëse nga shtrenjtimi i lartë i banesave në raport me ritmet e rritjes së pagës reale), sipas një publikimi të mëparshëm të Monitor.
Operatorët e tregut pohojnë se aktiviteti i pasurive të paluajtshme në pjesën më të madhe nuk po nxitet nga ekonomia reale, por nga kanalizimi i parave informale në këtë sektor, sidomos në apartamentet e shtrenjta./ Revista Monitor
Top Channel