Terror në rrugë/ 25-vjeçari qëllon me armë drejt grupit të çiklistëve, identifikohet autori pas tre ditësh hetimi
Këshilli Evropian në progres raportin për negociatat në vendin tonë shprehet se Shqipëria ka bërë progres duke përmbushur kushtet e vendosura.
KE thekson se Shqipëria ka dhënë rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme duke vijuar përkushtimin ndaj reformave të orientuara drejt BE-së.
Edhe pse nën kthetrat e pandemisë së COVID-19, vendi ynë ka treguar përkushtim në plotësimin e kushteve.
Theksohet se janë plotësuar të gjitha kushtet e përcaktuara në mars të vitit 2020 për Konferencën e parë Ndërqeveritare.
“Këshilli ngarkoi Komisionin të raportonte mbi një numër çështjesh që do të trajtoheshin nga Shqipëria para Konferencës së parë Ndërqeveritare mbi negociatat e pranimit.
Në përgjithësi, dhe pavarësisht sfidave të paraqitura nga pandemia COVID-19, Shqipëria ka vazhduar të tregojë përkushtimin e saj ndaj reformave të orientuara drejt BE-së dhe ka dhënë rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme. Ajo ka plotësuar të gjitha kushtet e përcaktuara në Konkluzionet e Këshillit të Marsit 2020 për Konferencën e parë Ndërqeveritare”, sipas progres raportit.
Në tetor të vitit 2020 Komisioni miratoi paketën e zgjerimit dhe vlerësoi se kushti që lidhet me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese ishte afër përmbushjes, ndërsa të gjitha kushtet e tjera që duheshin plotësuar para mbajtjes së Konferencës së parë Ndërqeveritare, sipas KE-së ishin përmbushur. Kujtojmë se tashmë, Gjykata Kushtetuese është funksionale.
“Në Tetor 2020, Komisioni miratoi paketën e zgjerimit dhe vlerësoi se kushti që lidhet me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese ishte afër përmbushjes, ndërsa të gjitha kushtet e tjera që duheshin plotësuar para mbajtjes së Konferencës së parë Ndërqeveritare ishin përmbushur. Gjykata Kushtetuese rifitoi funksionimin në Dhjetor 2020. Ndërkohë, Shqipëria ka vazhduar të plotësojë të gjitha kushtet e tjera dhe ka bërë përparim të mëtejshëm të konsiderueshëm, të qëndrueshëm në adresimin e prioriteteve të tjera të theksuara nga Këshilli.”
Në progres raportin e negociatave nuk u la pa përmendur edhe ndihma që BE dha për vendet e Ballkanit Perëndimor, mes tyre edhe vendi ynë, në përballimin e pandemisë.
“Pandemia e COVID-19 vazhdoi gjatë gjithë periudhës së raportimit. Deri në fillim të tetorit 2021, Shqipëria kishte regjistruar 171,794 raste dhe mbi 2,710 vdekje për shkak të pandemisë COVID-19.
Komisioni ka dhënë 50.6 milionë euro në grante për të përmbushur nevojat më të menjëhershme dhe për të siguruar një përgjigje socio-ekonomike ndaj pandemisë. Komisioni gjithashtu siguroi ndihmë makro-financiare prej 180 milionë eurosh përmes një huaje shumë të favorshme; kësti i parë 90 milionë euro u disbursua në mars të vitit 2021.
Së bashku me dhurimin e pajisjeve mjekësore, shpërndarja e vazhdueshme e vaksinave të financuara nga BE është një shenjë e prekshme e solidaritetit të BE. Shqipëria ka një strategji vaksinimi mbarëkombëtare. Rreth 26% e popullsisë u vaksinua plotësisht deri në fillim të shtatorit.
Ajo mori 143,910 doza Pfizer/BioNTech nga BE midis majit dhe gushtit 2021, lehtësuar nga Austria dhe financuar nga granti EU4Health, dhe Shtetet Anëtare të BE -së dorëzuan 310 , 000 doza deri në fund të shtatorit 2021. Iniciativa e mbështetur nga BE COVAX gjithashtu dërgoi mbi 143,400 doza në Shqipëri në të njëjtën periudhë”, theksohet në progres raport.
Progres raporti vjen pas Samitit të Brdos në Slloveni, ku BE-ja riafirmoi mbështetjen e saj për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe mirëpret angazhimin e partnerëve të Ballkanit Perëndimor në perspektivën evropiane.
Nisja e negociatave dhe mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Shqipërisë dhe Maqedoninë e Veriut po mbahet peng nga Bullgaria, pasi kjo e fundit vendosi veton ndaj Shkupit.
Marrja e vendimit për Shqipërinë do të jetë bashkë Maqedoninë e Veriut dhe që kjo të realizohet duhet që Shkupi zyrtar dhe Bullgaria të zgjidhin problemet mes tyre.
Top Channel