Italia “zhyt” populistët, në zgjedhjet lokale triumfon qendra e majtë

19/10/2021 12:26

Votuesit në Romë e Torino, ndër qytetet më të rëndësishme në vend, i dhanë fitoren kandidatëve të qendrës së majtë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Në raundin e parë, tre qytete të tjera të mëdha- Milano, Napoli e Bolonja, kishin bërë të njëjtën gjë, e po ashtu edhe Caserta, Cosenza, Ravenna, Savona e Varese. Trieste ishte i vetmi qytet kyç që zgjodhi një kandidat të qendrës së djathtë, Roberto Dipiazza, që siguroi mandatin e katërt si kryetar bashkie.

Roma, një komunë komplekse e konsideruar si e vështirë për t`u drejtuar, do të administrohet nga Roberto Gualtieri, ish ligjvënës e ministër ekonomie dhe financash në kohën e qeverisë së Giuseppe Conte.

Qendra e djathtë heshti pas shpalljes së rezultatit; ndërsa ish ministri Matteo Salvini nga ekstremi i djathtë u përpoq ta minimizonte rëndësinë e tyre.

“Qëllimi ynë është të fitojmë zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Këtë radhë, bëmë gabimin që në disa qytete zbritëm në fushëbetejë me vonesë”, u shpreh ai mes kritikave për një përzgjedhje të ngadaltë të kandidatëve në qytete si Roma apo Milano.

Këto zgjedhje u panë si një test i rëndësishëm elektoral, dhe dëshmuan se populistët, si ata të Legës, ashtu dhe të Lëvizjes Pesë Yjet humbën terren, e duket se vala populiste po zbrapset edhe në pjesë të tjera të Europës: AFD-ja pati rezultate zhgënjyese në zgjedhjet parlamentare të shtatorit në Gjermani e partia e kryeministri çek, Andrej Babis po ashtu nuk arriti të siguronte shumicën në zgjedhjet e 9 tetorit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA