Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza në drejtim të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha se për tetë vite i ka bërë fresk kryeministrit Edi Rama, ndërkohë që ky i fundit bllokoi integrimin dhe vrau shpresën e shqiptarëve.
Nga Dibra, ku është ndalur foltorja për ringritjen e PD-së, Berisha paralajmëroi kryeministrin Edi Rama se ato daulle që bien janë lajmëtare të betejës dhe aspak dasme.
Berisha: Gjendja që është katandisur PD-ja nga kryetari i saj. Sot Edi Rama ka blloku integrimin, ka vra shpresën e shqiptarëve, ku është opozita, çfarë bëri, më falni, por i bëri fresk, sepse tetë vite nuk qe i aftë të imponojë asnjë nismë tjetër veçse ligjit të dekriminalizimit. Jam këtu për të qëndruar dhëmbë për dhëmbë ndaj këtij regjimi që po spastron Shqipërinë nga shqiptarët. I them Ramës ato daulle nuk janë dasme por beteje dhe vetëm beteje. Do përballesh me demokratët për të gjitha këto që ke bërë.
PD është sot e goditur rëndë nga aktet e papërgjegjshme, nga udhëheqja inekzistente e saj. Me datën 25 prill në darkë, çfarë tregonin sondazhet, tregonin se vetëm 19% e shqiptarëve që kanë votuar PD kishin votuar për kryetarin dhe ne kishim shkuar në kutitë e votimit symbyllur.
Mirënjohje tyre që na votuan se ne drejtues nuk kishim. Unë shfrytëzoj rastin t’u kërkoj ju ndjesë sepse gjatë këtyre viteve unë nuk kam ngritur para jush problemet e mëdha përballej PD, pavarësisht se ato ia kam thënë kryetarit të saj dhe kjo është e dokumentuar. Kjo nuk më justifikon, fakti se edhe kur në 2017 i kërkova dorëheqjen, ndofta duhet të vendosja të rikthehesha për të mos pasur edhe një mandat tjetër Ramën siç e kemi sot.
Tre javë pas zgjedhjeve DASH më shpalli non grata për të hyrë në SHBA. Ju them se të nesërmen e pyeta veten çfarë kam bërë unë që tetë vite pasi jam larguar nga çdo funksion drejtues dhe tani tre javë pasi humba zgjedhjet shpallem non grata. Ajo që kisha bërë 8 vite kisha denoncuar vjedhjet dhe korrupsionin e Ramës.
Top Channel