Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit është konstituar këtë të hënë, pesë ditë pas miratimit të tij në Kuvend. Ky komision e filloi mbledhjen e tij të parë në orën 15:00.
Në fillim të mbledhjes përfaqësuesit e mazhorancës ngriten pretendime për rregulloren e këtij komisioni, ndërsa përfaqësuesit e opozitës e konsideruan një ndërhyrje të tillë si tentativë për të gjetur alibi minimaliste.
I pari që kërkoi fjalën ishte zëvendëskryetari i këtij komisioni, Toni Gogu, përfaqësues i PS-së.
Ky i fundit tha se në rend të ditës duhet të jetë konstituimi, ndërkohë që kërkoi më shumë kohë për të parë dy materiale që i kanë shkuar anëtarëve.
“Mu duk sikur nuk po ecim sipas rendit të ditës. Në lidhje me rendin e ditës, për orën dhe vendin e mbledhjes së komisionit, meqë se shohim se një nga pikat e rendit të ditës është shqyrtimi i rregullores, do donim që sot të kemi konstituimi, deklarimin e qëllimit dhe përcaktimin e detyrave dhe sekretariatin. Dy materialet e tjera me të cilat jemi vënën në dijeni, t’i shohim dhe të shtyjmë për mbledhjen e ardhshme”, tha Gogu.
Kryetari Enkelejd Alibeaj tha se mbledhja e parë konstituive, jo vetëm ka të paracaktuar momentin se kur mblidhet, ditën, por në ligjin përkatës është caktuar se cili do të jetë rendi i ditës.
“Sa i takon vënies në dispozicion të materialeve, jemi munduar të krijojmë komoditet për të gjithë anëtarët e komisionit. Çështja e parë është konstituimi i këtij komisioni. Ju thashë edhe më parë, në konsultim dhe me sekretariatin, është bërë verifikimi i anëtarëve, dhe ky komision do të ketë këtë përbërje; Enkelejd Alibeaj, kryetar, Toni Gogu, zv./kryetar, anëtare Klotila Bushka, Blerina Gjylameti, Nasip Naço, Petri Koço, Bardhyl Kollcaku, nga PS. Gazmend Bardhi nga PD, Oerd Bylykbashi, Ferdinand Xhaferraj, Ervin Salianji, Kreshnik Çollaku, Petrit Vasili, deputet i pavarur. Secili prej grupeve parlamentare përcakton edhe anëtarët zëvendësues; Xhemal Qefalia, nga PS, Etien Xhafaj nga PS, Arbi Agalli nga PD, Lindita Metaliaj nga PD. Duke marrë edhe shqetësimin e zotit Bardhi, marrin pjesë anëtarët me të gjitha të drejtat. Anëtarët zëvendësues, thirren kur anëtarët e tjerë nuk marrin pjesë. Kështu që zoti Xhafaj mund të merrni pjesë sot, por nuk keni të drejtë që të jeni herë të tjerë. E konsideroj në mënyrë të konstituar komisionin hetimor për zgjedhjet e 25 prillit. Afati i këtij komisioni do të jetë tremujor dhe përfundimi i tij do të jetë deri në datën 4 janar”, tha Enkelejd Alibeaj.
Sipas rendit të ditës, pas konstituimit të Komisionit dhe prezantimit të anëtarëve, bëhet deklarimi i qëllimit të ngritjes, përcaktimi i detyrave të Komisionit, shqyrtimi dhe miratimi i rregullores së brendshme, zgjedhja e Sekretarit të Komisionit, vlerësimi i të dhënave paraprake si dhe përcaktimi i mbledhjes së radhës.
Zgjedhjet e 25 prillit, PD, më shumë se një herë, i ka quajtur “masakër zgjedhore”, duke pretenduar se procesi ka pasur shumë pa rregullsi.
Kuvendi miratoi me 123 vota pro ngritjen e një komisioni hetimor të posaçëm për hetimin e zgjedhjeve të 25 prillit.
Kryetar Komisioni: Enkelejd Alibeaj
Zëvendëskryetar: Toni Gogu
Anëtarë:
Klotilda Bushku – anëtare nga radhët e Partisë Socialiste
Blerina Gjylameti – anëtare nga radhët e Partisë Socialiste
Aurora Mara – anëtare nga radhët e Partisë Socialiste
Klevis Xhoxhi – anëtar nga radhët e Partisë Socialiste
Nasip Naco – anëtar nga radhët e Partisë Socialiste
Petro Koçi – anëtar nga radhët e Partisë Socialiste
Bardhyl Kocaku – anëtar nga radhët e Partisë Socialiste
Gazment Bardhi – anëtar nga radhët e Partisë Demokratike
Oerd Bylykbashi – anëtar nga radhët e Partisë Demokratike
Ferdinant Xhaferraj – anëtar nga radhët e Partisë Demokratike
Ervin Salianji – anëtar nga radhët e Partisë Demokratike
Kreshnik Çollaku – anëtar nga radhët e Partisë Demokratike
Petrit Vasili – anëtar, deputet i pavarur
Anëtarë zëvendësues:
Xhemal Qefalia
Etien Xhafaj
Arbi Agalliu
Lindita Metaliaj.
Top Channel