Një 50-vjeçar është arrestuar pasi ushtroi aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit në lokalin që administronte në Vlorë. Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi 7 pajisje elektronike, të cilat dyshohen se përdoreshin për lojëra të palejuara dhe baste sportive, duke përfituar vlera monetare të padeklaruara në organet tatimore.
“Në vijim të punës dhe kontrolleve për ndëshkimin e atyre personave që tentojnë të ushtrojnë aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, shërbimet e Policisë, në lagjen “28 Nëntori”, Vlorë, në lokalin e administruar nga shtetasi V. A., gjetën dhe sekuestruan 7 pajisje elektronike, të cilat dyshohen se përdoreshin për lojëra të palejuara dhe baste sportive, duke përfituar vlera monetare të padeklaruara në organet tatimore”, njoftoi policia.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Vlorë arrestuan në flagrancë V. A., 50 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”.
Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare u bë procedimi në gjendje të lirë i shtetasi B. M., 34 vjeç, banues në Vlorë, sepse gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, në lagjen “24 Maji “Vlorë, u gjetën tre njësi kompjuteri, të cilat dyshohen se përdoreshin për lojëra të palejuara.
Top Channel