Kuvendi i Republikës së Shqipërisë këtë të enjte miratoi me 123 vota pro ngritjen e një komisioni të posaçëm hetimor për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Mazhoranca dhe opozita kanë bashkuar votat, pasi në shumicë absolute deputetët votuan pro, duke mos pasur asnjë votë kundër apo abstenim.
Nuk është votuar ngritja e një komisioni tjetër për çështjen që lidhet me Francesco Becchetin.
Me 77 vota kundër, mazhoranca qeverisëse, e rrëzoi propozimin e demokratëve ashtu siç edhe e kishte paralajmëruar më parë.
Pro ngritjes së këtij komisioni votuan vetëm 46 deputetë.
Kuvendi ka rrëzuar edhe dekretin i Presidentit të Republikës nr. 13.179, datë 28.07.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 86/2021 “Për miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit nr. 25, datë 22.06.2021 i Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9936, datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar””.
Ky dekret mori 43 vota pro dhe 76 kundër.
Gjithashtu Kuvendi rrëzoi edhe dekretin nr. 13.186, datë 28.07.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 87/2021 “Për miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit nr. 26, datë 22.06.2021 të Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 137/2020 “Për buxhetin e vitit 2021”.
Edhe dekreti për të huajt nuk është miratuar, ai mori 43 vota pro dhe 76 kundër.
Kuvendi miratoi me 83 vota, Rezana Konomi Perrolla, si anëtare të Komisionit të Konkurrencës në Autoritetin e Konkurrencës.
Top Channel