Enio Jaço: Shqipëria duhet të orientojë politikat drejt mundësive Euro-Transantlantike për investime të reja

13/10/2021 19:03

Presidenti i Dhomës Amerikane, Enio Jaço deklaroi sot se Shqipëria duhet të orientojë politikat drejt mundësive euro-transantlantike dhe që të përfitojë prej tyre, duhet të luftojë ekonominë e zezë, informale, koston e së cilës, e paguajnë bizneset e ndershme dhe e marrin në konsideratë investitorë të huaj potencialë.

Jaço foli gjatë Mbledhjes së Përgjithshme të Asamblesë së AmCham, në praninë e Ministres Ibrahimaj, Ambasadores Yuri Kim si dhe kompanive anëtare multinacionale të AmCham. Ai tha se në dy vitet e fundit Dhoma Amerikane ka rritur anëtarësinë e saj si dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë duke punuar me U.S. Chamber në Uashington si dhe Departamentin Amerikan të Shtetit për Tregtinë në mbështetje të rritjes së shkëmbimeve tregtare Shqipëri-SHBA.

Për sfidat që ka Klima e Biznesit sot, Jaço iu referua Indeksit Vjetor të AmCham, dhe krahas praktikave të padrejta, ngriti si shqetësim tendencën e largimit të talenteve të reja profesionale nga Shqipëria.

“Ka një shqetësim në rritje dhe pakënaqësi me politikat e brendshme të vendit. Indeksi i Biznesit, matësi vjetor i AmCham tregon se shumë shpesh praktikat në mënyrën e të bërit biznes nuk janë të drejta. Si rrjedhojë e kësaj situate, talente të reja profesionale janë duke parë mundësitë e largimit nga Shqipëria. Nëse duam të ndërtojmë vërtetë një ekonomi konkurruese, kjo është një kosto për të gjithë ne – përfshirë bizneset tona”,  u shpreh Presidenti i AmCham.

Enio Jaço bëri një analizë të situatës ku operojnë bizneset, një pjesë e të cilave, punojnë në atë që ai e quajti ekonomi të pastër penalizohen nga pjesa tjetër e ekonomisë informale. “Sot janë tre hije që karakterizojnë ekonominë shqiptare. Është ekonomia e bardhë, e cila është e pastër, por është edhe ekonomia gri dhe ajo e zezë. Dhe ju (anëtarët) punoni në ekonominë e pastër por jeni duke paguar kostot e anës së errët të ekonomisë. Kjo nuk është e drejtë dhe duhet të marrë fund” tha Jaço duke iu drejtuar kompanive anëtare.

Ai kërkoi nga qeveria më shumë përpjekje në krijimin e praktikave të drejta, konkurruese dhe të ndershme: “Ne përgëzojmë Qeverinë për nismat në reduktimin e informalitetit të ekonomisë gri përmes faturimit elektronik të detyrueshëm por ne e inkurajojmë atë, që të bëjë më shumë përpjekje për të çrrënjosur ekonominë e zezë duke pranuar programet perëndimore mbi praktikat kundër pastrimit të parave. Këto masa do të rrisnin interesin e investitorëve seriozë drejt Shqipërisë”.

Duke u ndalur tek investimet amerikane në Shqipëri, Jaço i uroi mirëseardhjen kompanisë amerikane Bechtel si anëtari më i ri i Dhomës Amerikane dhe shprehu optimizëm se me klimën e duhur të tjera investime amerikane do bëhen realitet në Shqipëri.

“Koorporata Bechtel do të realizojë një nga projektet më strategjik të energjisë në Skavicë, me një impakt të jashtëzakonshëm në ekonomi dhe turizëm. Dhe përveç Bechtel, dy gjigantë të tjerë amerikanë, Excon Mobile dhe Accelerate janë duke përparuar me eksplorimin e një tjetër projekti domethënës energjetik. Vetëm këto dy projekte do të kenë impakt domethënës në ekonomi dhe në krijimin e vendeve të reja të punës, por shpresoj që këto të jenë dy projektet e para dhe të tjerë do të vijnë në vijim” tha Presidenti i AmCham.

Jaço e mbylli fjalën me Axhendën e Investimeve, paketën e AmCham me 40 ndërhyrje ligjore për përmirësimin e klimës së biznesit me thirrjen për të punuar bashkë me Qeverinë dhe forcat politike në Komisionet Parlamentare për implementimin e saj.

“Shpresoj që Axhenda e Investimeve do të implementohet. Ne presim të bashkëpunojmë me Qeverinë, Ministrinë e Financave dhe Parlamentin për ta kthyer atë në realitet. Ka ardhur koha që të ndalojmë së diskutuari problemet e Klimës së Biznesit dhe të nisim ndërhyrjet konkrete ligjore për përmirësimin e saj, duke ofruar mundësi dhe zhvillim për të gjithë”, tha Jaço.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA