Takimi me ministren britanike, Basha zbulon çfarë diskutuan: Qofshin nga Tropoja apo Vlora, fati i shqiptarëve është në vëmendjen e PD

12/10/2021 10:35

Pas takimit me ministren britanike Wendy Morton, kreu i PD, Lulzim Basha ka folur para mediave duke thënë se cështjet kryesore që diskutuan ishin demokracia, krimi i organizuar dhe liria e medias.

Në fjalën e tij, theksoi se e rëndësishme është edhe marrëdhënia shqiptaro-britanike duke qenë se mijëra shqiptarë jetojnë në Britaninë e Madhe ndaj thotë se mbetet në vëmendjen e PD sakrifica e njerëzve, qofshin nga Tropoja, Kukësi, Fieri, Burreli, Vlora apo Gjirokastra.

Basha: Takimi me ministren për Europën të qeverisë së madhërisë së saj britanike ishte një mundësi e dyfishtë, së pari tregon nivelin e lartë të interesit britanik për Shqipërinë. Para disa javësh ka qenë këtu dhe Priti Patel dhe në veçanti për çështjet që janë kauzat kryesore të PD dhe qytetarëve që janë çështjet e demokracisë, të bashkëpunimit të krimit të organizuar me politikën për të vjedhur zgjedhjet siç  ndodhi më 25 prill dhe të luftës kundër krimit të organizuar, të lirisë së medias në veçanti si një nga problemet kryesore të demokracisë shqiptare, pa diskutim edhe të ardhmes së marrëdhënieve shqiptaro-britanike me një vëmendje të veçantë për dy çështje kryesore, praninë e investimeve britanike në Shqipëri dhe fatin e qindra mijëra shqiptarëve që jetojnë në Britani, jo vetëm në Londër por kudo në Britaninë e Madhe, njerëz të punës, të sakrificave, interesi më i mirë i të cilëve është dhe mbetet në vëmendje të PD, qofshin nga Tropoja, Kukësi, Fieri, Burreli, Vlora apo Gjirokstra. Kemi qindra mijëra shqiptarë në Britaninë e Madhe, duam t’i shohim me letra të rregullta, të jetojnë dhe të punojnë me nder, të panjollosur nga një pakicë e vogël.

Nga ana tjetër, rëndësi të madhe i tha lidhjes së politikës me krimin, të cilin e cilësoi si prioritet absolut. Sa i përket lirisë së medias, Basha përmendi faktin që moti sot është ndryshe nga një ditë më parë kur kishte reshje shiu duke thënë se “një rreze dielli” do të bjerë edhe mbi gazetarët shqiptarë.

Basha: Përveç këtij dimensioni, Partia Konservatore e Britanisë dhe Partia Demokratike e Shqipërisë, në veçanti 4 vitet e fundit ka ndërtuar një marrëdhënie shumë të ngushtë bashkëpunimi. Në bisedën mes delegacioneve jemi fokusuar tek prioritetet tona të përbashkëta, në veçanti krimin e organizuar dhe lidhjes së politikës me krimin, dua ta theksoj këtë që qeveria britanike dhe PD ndajnë një prioritet të rëndësishme: lidhjes e politikës me krimin, prerja e e tyre është një prioritet absolut. Janë lidhjet e politikës me krimin një nga masakrat kryesore të fushatës zgjedhore. Jam i inkurajuar nga biseda me të dhe të hapave që qeveria britanike ka hedhur dhe ka kërkuar ndihmën tonë. Në një takim të veçantë, kokë me kokë me ministren kemi folur për forcimin e bashkëpunimit mes PD dhe partisë konservatore. Në interesin më të mirë të demokracisë, të programit dhe vizionit të vlerave që ne ndajmë.

Sot kam kënaqësi, në një ditë që edhe moti duket ndryshe nga e djeshmja, besoj që përmes këtij bashkëpunimi, një rreze dielli do të bjerë edhe mbi gazetarët shqiptarë, edhe mbi median shqiptare, sigurisht një nga vendet që është kampione e lirisë së medias dhe e profesionalizmit si Britania e Madhe. Për këtë falënderova ministren dhe ambasadorin, i cili ditën e djeshme ka zhvilluar një takim me përfaqësues të medias dhe do të zgjerojë programin e tij në ndihmë të medias që është një shtyllë e pazëvendësueshme e demokracisë. Këto ishin disa nga temat kryesore që ndava me Ministren për Europën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA