Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të martën është shprehur për shkarkimin e Flamur Nokës nga posti i zv/kryetarit të Komisionit të Sigurisë, duke deklaruar se nuk mund të mbetet peng i agjendave personale që kërkojnë ta kthejnë PD-në në një bunker.
Në një deklaratë për mediat, Basha tha se z.Noka i kanë komunikuar shkarkimin e tij nga detyra, nuk e kanë përjashtuar, por paralajmëruar.
“Zotit Noka i kanë komunikuar shkarkimin e tij nga detyra, nuk e kanë përjashtuar por paralajmëruar. Nuk mundet që PD që ka armikun e shqiptarëve Edi Ramën dhe regjimin e tij të mbahet peng nga sajesa shpifje dhe keqinformime që na devijojnë nga detyra jonë. Ne kemi lançuar iniciativa të shumta opozitare dhe do të lançojmë të tjera, për të zhbërë dhe gërryer themelet e regjimit Rama-Doshi-Rakipi dhe nuk mund të mbetemi peng i agjendave personale që kërkojnë ta kthejnë PD në një bunker për interesa personale të kujtdo qofshin këto. Prandaj shtrembërime të tilla nuk do të tolerohen”, deklaroi kryedemokrati.
Deputeti demokrat, Flamur Noka të hënën në një deklaratë për mediat zbuloi se çfarë ka ndodhur, sipas tij, të dielën në Kryesinë e Grupit të PD-së, duke treguar se Lulzim Basha e quajti bazën e partisë dhe qeverinë e Berishës “llum”.
Një deklaratë të tillë, Noka e bëri pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, ndërsa bëri me dije se kreu demokrat konfirmoi të dielën se fati i karriges së tij është më i shtrenjtë se fati i PD-së dhe i demokratëve.
“Askush s’ka guxuar, as Fatos Nano, as Edi Rama dhe as kundërshtarët më të egër të kësaj force politike të konsiderojnë qeverinë e Sali Berishës si llum. Askush, as armiqtë më të egër të forcës sonë politike që të konsiderojnë bazën e PD-së, e cila po mbush foltoret, që kërkon kjo forcë të rikthehet në standardet e saj dhe normat statuore, t’i rikthehet betejës me Edi Ramën dhe jo të qëndrojë në kthetrat e Ramës. Nuk ka guxuar askush, përveçse z.Basha, askush tjetër”, deklaroi Noka.
I mënjëhershëm ishte edhe reagimi zyrtar i Partisë Demokratike, e cila e konsideroi deklaratën e deputetit demokrat një mashtrim dhe që s’është hera e parë që kërkohet të shtrëmbërohet e vërteta e diskutimit në mbledhje, pasi një fjalë e tillë është përdorur për ata të cilët në qeverisjen e PD kanë mbushur xhepat me paratë e korrupsionit dhe sot në partneritet me Edi Ramën, përdorin anëtarësinë e PD-së për interesa personale.
“Përpjekje të dëshpëruara dhe fatkeqësisht, jo për herë të parë për të shtrembëruar të vërtetën e diskutimit në mbledhje. Për asnjë moment, anëtarësia e PD nuk është etiketuar me fjalën “llum”. Kjo fjalë është përdorur për ata të cilët në qeverisjen e PD kanë mbushur xhepat me paratë e korrupsionit dhe sot, në partneritet me Edi Ramën dhe njerëzit e tij, duan të përdorin anëtarësinë e PD për interesat e tyre personale dhe të pushtetit të Ramës”, thuhet në reagimin zyrtar të PD-së.
PD, deklaron se anëtarësia dhe militantët e nderuar të saj kanë sfiduar çdo regjim deri më sot, nga ai komunist te ky i fundit Rama-Doshi-Rakipi dhe nuk manipulohet nga asnjë lloj manipulimi që bëhet për llogari të tij.
Top Channel