E lanë pas në Afganistan kur në fuqi u rikthyen talebanët, edhe pse Aman Khalil nuk ishte një përkthyes si shumë të tjerë: në vitin 2008, një stuhi bore detyroi helikopterin ushtarak që transportonte Bidenin –asokohe senator – dhe disa ligjvënës të tjerë amerikanë, të uleshin në një luginë, ku ishin në rrezik nga sulmet.
Khalili ishte në mesin e punonjësve afganë të Qeverisë amerikane që e çuan grupin në një rajon të sigurt. Por pavarësisht se në mediat e huaja ai përshkruhet si nje prej njerëzve që i shpëtuan jetën asokohe Bidenit, nuk u nxor nga Afganistani në gusht, e që prej atëherë po përpiqej të largohej nga vendi. Për përkthyesin dhe familjen e tij tashmë kjo gjë është bërë realitet.
Ata u nxorën së fundi nga Afganistani, duke iu bashkuar kështu mijëra afganëve që morën arratinë vetëm për të mos jetuar nën regjimin taleban. Një përfaqësues i Departamentit amerikan të Shtetit konfirmoi për BBC-në se Khalili dhe familja e tij “janë larguar në mënyrë të sigurt nga Afganistani”, me “angazhimin dhe mbështetjen e SHBA-së”.
Top Channel