PD: Tenderi i Llogarasë u dha 12 milionë dollarë më shumë se oferta më e ulët

12/10/2021 14:24

Partia Demokratike denoncoi këtë të martë tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, ku sipas saj, Ministria e Infrastrukturës shpalli fitues kompaninë që ofroi 12 milionë dollarë më shumë se oferta më e ulët.

Ishte deputeti Helidon Bushati që denoncoi në emër të PD-së Ministrinë e Infrastrukturës që sipas tij është edhe ministria mbi të cilën bie edhe pesha e keqmenaxhimit dhe korrupsionit për situatën energjetike në vend dhe që do të merren 200 milionë euro borxh që do paguhen nga taksat e shqiptarëve.

Bushati tha se Ministria e Infrastrukturës shpalli fitues tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, një bashkim kompanish turke, e cila ka ofruar rreth 12 milionë dollarë më shumë se oferta më e ulët.

Në garën midis “INTEKAR YAPI” dhe “ASL”që kërkoi ta ndërtojë tunelin për rreth 17 miliardë lekë ose 170 milion dollarë, dhe një tjetër bashkim operatorësh, përbërë nga kompania egjiptiane “Concord Engineering” dhe dy kompani shqiptare, që kanë ofruar 12 milionë dollarë më pak për të njëjtën punë, në total 158 milionë dollarë, ministria e drejtuar nga Belinda Balluku, zgjodhi ofertën më të shtrenjtë për xhepat e qytetarëve”, tha Bushati.

Sipas tij, kjo nuk është një shumë e vogël parash, por 12 milionë dollarë që mund të shkonin fare mirë për shtresat në nevojë dhe jo për orekset e një grushti të vogël njerëzish.

Veçanërisht, qytetarët e shtetit më të varfër në Europë, që për shkak të kësaj qeverie të korruptuar paguajnë çmimet, ndër më të shtrenjtat për ndërtimin e rrugëve në kontinent, si ato që kalojnë 20 milionë euro për kilometër”, tha ai.

PD, bën me dije se nuk do të mjaftohet vetëm me denoncimin e këtij skandali, por do të dorëzojë kallëzim penal në SPAK për drejtuesen e Ministrisë së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA