Në një seancë me dyer të mbyllura, gjykata e Tiranës dha masën “Arrest shtëpie” për 6 të arrestuarit për shitje të ilaçeve kontrabandë gjatë pandemisë, për të cilët prokuroria kërkoi të mbeteshin në burg.
Burimet bëjnë me dije se nën hetim janë edhe 6 persona të tjerë në gjendje të lirë. Por në pranga ra këtë të hënë Sokol Topçiu, 57 vjeç, administratori i Farma Net Albania, i cili ishte shpallur në kërkim të premten kur u arrestuan Blerim Bitri, Florian Marku , Florian Lila administratorë farmacie dhe Bashkim Osmani administrator i një depoje farmaceutike.
Të njëjtat burime konfirmojnë se këta persona në bashkëpunim me njeri tjetrin dhe me 64-vjeçaren Margarita Xhaxhiu e cila dyshohet se i sillte mallrat kontrabandë dhe Jani Papuli, i punësuari i saj, shisnin medikamentet që futeshin pa u regjistruar dhe e që kryesisht përdoreshin për trajtimin e Covid-19.
Referimi është bërë nga Krimi Ekonomik në Prokurorinë e Tiranës dhe më pas, hetuesit kanë bërë blerje të stimuluara me agjentë të infiltruar në disa raste. dyshohet se këto ilaçe nga 20 dollare që u sollën në Shqipëri u shitën më pas deri ne 50 mije leke.
Gjithsej janë 12 administratorë subjektesh farmaceutike nën hetim për kontrabande dhe hetimet vazhdojnë.
Top Channel